Lajm “bomb”, tërhiqet Arta Marku/ Urdhëri për ndalimin e publikimit të akteve të dosjes 339

Shpërndaje

Prokuroria është tërhequr nga vendimi i një dite më parë që ndalonte publikimin e materialeve që përfshiheshin në dosjen 339, e cila hedh dritë mbi fenomenin e shit/blerjes së votave në Qarkun e Durrësit.

Në urdhërin e një dite më parë të firmosur nga prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, thuhet “Ndalimin e publikimit të akteve të procedimit penal Nr.339, të vitit 2016, nëpërmjet shtypit ose çdo lloj forme tjetër informacioni masiv.

Ngarkohet me ekzekutimin e këtij urdhri Koordinatori për Mediat në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

Subjektet e procedimit penal, avokatët mbrojtës, etj, të cilët për shkak të cilësisë së tyre njihen me aktet e procedimit penal Nr.339, të vitit 2016, ndalohen t’i bëjnë publike ato.

Shkelja e këtij urdhri, personat përgjegjës i ngarkon me përgjegjësi penale, sipas nenit 295/a/3 të K.Penal”.

Por ky urdhër ka sjellë reagime të shumta nga përfaqësues të mediave, çka duket se ka detyruar organin e akuzës që të tërhiqet.

Në një sqarim të ditës së sotme, prokuroria thotë se ky urdhër nuk ka të bëjë me median.

“Ky ndalim ligjor synon të ruajë sekretin hetimor dhe gjen zbatim për të gjithë subjektet proçedurale të çështjes penale nr. 339 të vitit 2016, si prokuror, oficer të policisë gjyqësore, mbrojtës ligjor, të pandehur dhe çdo subjekt tjetër që është njohur apo merr dijeni për aktet e proçedimit penal për shkak të funksionit që kryen”, sqarohet nga prokurorët.

Duket se prokurorët janë tërhequr nga urdhëri i firmosur 24 orë më parë. Urdhëri erdhi pasi në të përditshmen gjermane BILD u publikuan 6 përgjime të përfshira në dosjen 339, një prej të cilave konfirmon bisedat mes Avdylajve dhe kryebashkiakut në detyrë, Vangjush Dako./standard.al/