Mos u shitni mjegulla qytetarëve dhe mos i provokoni shqiptarët!
(Porosi pushtetit aktual në Maqedoninë Veriore, i cili në pamundësi për zgjidhjen e problemeve reale në qeverisjen e vendit, krijon tensione të panevojshme ndëretnike për tërheqjen e vëmendjes së opinionit), shkruan Abdulla Mehmeti. Të gjitha partitë politike aktuale të shqiptarëve së bashku nuk do ta shpëtojnë asnjë qeveri në Maqedoni, e cila do të tentojë të ndërhyjë në mënyrë brutale në vendbanimet me popullsi shqiptare, me pretekste të sajuara, siç ka ndërhyrë kësaj radhe në katundin Luboten të Shkupit! Ose ndërtoni shtet ligjor mbi parimet e së drejtës dhe barazisë, ose lini qytetarët të lirë të vendosin për fatin e tyre, e ju bashkangjituni ish diktatorit Gruevski jashtë vendit! Rasti ka mundur të zgjidhet në mënyrë të qetë mes organeve të pushtetit qendror, komunal dhe vendor, me banorët e katundit Luboten. Pse është dashur të provokohet situata edhe ashtu e tensionuar mes pushtetit dhe një numri të madh të banorëve të këtij shteti, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale? Në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet ndërhyrja e njësive speciale të policisë me armatim të rëndë në vendbanimet shqiptare, me autoblinda dhe mitralozë të rëndë, me pretekst për kërkim të duhanit që e kultivojnë banorët e këtij katundi për ta siguruar ekzistencën! Cilët ekspertë e vlerësuan situatën në terren, pa pasur asnjë paralajmërim, as rezistencë nga bonorët vendës, të nisen autoblinda me mitralozë të rëndë në një vendbanim shqiptar, në të cilin ende janë të freskëta traumat e masakrës së vitit 2001 mbi banorët e këtij katundi? Pse pushteti demonstron forcë në mënyrë selektive mbi banorët shqiptarë, ndërsa për raste të tjera edhe më të rënda nuk ndërhyn në vendbanimet me popullsi joshqiptare? Kush e detyroi drejtorin shqiptar ta nënshkruaj një vendim të tillë për ndërhyrje të njësive speciale në emër të policisë financiare, partia e tij që e ka propozuar në këtë detyrë, apo organet më të larta të qeverisë, dhe pse përherë duhet të keqpërdoren nënshkrimet e kuadrove shqiptarë (naivë), pa një vlerësim të situatës nga ekspertë të fushave përkatëse, ndërkohë që njoftimet nga terreni flasin se nuk bëhet fjalë në këtë rast për kontrabandë dhe krim të organizuar, por për një rast i cili ka mundur shumë lehtë dhe qetë të zgjidhet mes organeve të pushtetit dhe banorëve vendës?! Ku kanë qenë me kohë organet e pushtetit të ndërmarrin masa përkatëse dhe të ligjshme kundër „kultivimit të duhanit të paligjshëm” në vendbanimet shqiptare (dhe jovetëm), pse e provokojnë situatën edhe ashtu të brishtë politike në vend, në kohën kur në Shqipëri situata politike dhe е sigurisë për shkak të zgjedhjeve lokale është tepër e tensionuar?!