MaqedoniTop Lajme

Mexhiti dhe Kasami: Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri dhe dinjitet

Shpërndaje

Bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, kanë reaguar lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që po zhvillohet në Hagë.

Në reagimin e tyre, Mexhiti dhe Kasami e kanë cilësuar luftën e UÇK-së si luftë për liri, dinjitet dhe çlirimin e Kosovës, ndërsa kanë shprehur pritjen që procesi gjyqësor të përfundojë me një vendim që, sipas tyre, do të konfirmojë pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, për dinjitet dhe për çlirimin e popullit tonë”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata kanë deklaruar se procesi ndaj ish-komandantëve të UÇK-së është, sipas tyre, “i padrejtë dhe kundërthënës”, duke theksuar se lufta për liri nuk duhet të barazohet me krimin dhe se viktima nuk mund të barazohet me dhunuesin.

“Lufta për liri nuk mund të barazohet me krimin; viktima me dhunuesin, ndërsa sakrifica për çlirimin e Kosovës nuk duhet të kthehet në agjendë politike për kundërshtuesit e pavarësisë dhe shtetshmërisë së Kosovës”, theksojnë Mexhiti dhe Kasami.

Në reagimin e tyre, dy bashkëkryetarët e VLEN-it kanë vënë në pah edhe sakrificën e bërë gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, duke thënë se liria e vendit është fituar me “sakrificë, guxim dhe gjak”.

“Emrin e lirisë sot e bartin me guxim e dinjitet liderët tanë që padrejtësisht ndodhen në Hagë”, thuhet më tej në reagim.

Në fund, Mexhiti dhe Kasami kanë theksuar se “momenti i së vërtetës po afron”, duke e lidhur qëndrimin e tyre me mbështetjen për lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin e Kosovës.

“Për ne, liria e Kosovës nuk është thjesht një fjalë, është amanet”, përfundojnë ata.