Haga sot shpall aktgjykimin për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin
Sot është një nga ditët më të rëndësishme të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të dalin sot para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ku do të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj tyre.
Seanca është caktuar të nisë në orën dhjetë dhe do të jetë e hapur për publikun. Ajo do të transmetohet edhe përmes platformave të Dhomave të Specializuara, me dhjetë minuta vonesë dhe në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte. Ata janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave.
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill të vitit 2023. Pas më shumë se dy vjetësh të paraqitjes së provave, dëshmive dhe argumenteve të palëve, faza e provave u mbyll më tetëmbëdhjetë dhjetor të vitit dymijë e njëzet e pesë. Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga nëntë deri më 18 shkurt të këtij viti.
Gjatë procesit kanë dëshmuar 134 dëshmitarë. Prej tyre, 125 janë thirrur nga Prokuroria, dy nga Mbrojtja e Viktimave dhe shtatë nga ekipet e Mbrojtjes. Në proces marrin pjesë edhe njëqind e pesëdhjetë e gjashtë viktima.
Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit dymijë e njëzet.
Vëmendja në Kosovë dhe në Hagë është përqendruar sot te shpallja e aktgjykimit, ndërsa në kryeqytetin holandez kanë udhëtuar qytetarë, familjarë dhe përfaqësues të ndryshëm nga Kosova.
KosovaPress do t’i përcjellë gjatë gjithë ditës zhvillimet nga Haga, shpalljen e aktgjykimit dhe reagimet pas tij.

