Sa pritet të kushtojnë 2 vitet e përvojës për pension?
Qytetarët që kanë arritur moshën ligjore për pensionim, por nuk kanë stazh të mjaftueshëm pensional, mund të kenë mundësi të blejnë deri në dy vite, përkatësisht 24 muaj, për të përmbushur kushtin minimal prej 15 vitesh stazh për pension pleqërie.
Sipas zgjidhjes së propozuar, kjo mundësi do të vlejë për personat që nuk kanë më statusin e të siguruarit, kanë të paktën 13 vite stazh pensional dhe kanë arritur moshën e nevojshme për pensionim – 62 vjeç për gratë dhe 64 vjeç për burrat.
Kjo do të thotë se një person me 13 vite stazh do të mund të blejë edhe 24 muaj, ndërsa një person me 14 vite stazh do të kishte nevojë për 12 muaj. Nëse mungojnë vetëm disa muaj deri në 15 vite, do të paguhej vetëm për periudhën që mungon.
Sa do të kushtonte?
Sipas përllogaritjes orientuese të publikuar, kontributet do të llogariteshin mbi një bazë prej 50 për qind të pagës mesatare të realizuar gjatë vitit paraprak.
Nëse masa zbatohet në vitin 2026, për përllogaritjen do të përdorej paga mesatare e vitit 2025. Bazuar në shifrat e paraqitura në përllogaritjen e propozuar, një muaj stazh i blerë do të kushtonte rreth 6.400 denarë.
Kështu, në mënyrë orientuese:
12 muaj stazh – rreth 76.800 denarë, përkatësisht afërsisht 1.200 euro.
24 muaj stazh – rreth 153.600 denarë, përkatësisht afërsisht 2.500 euro.
Megjithatë, këto shuma për momentin janë vetëm orientuese dhe jo përfundimtare. Zgjidhja ende ndodhet në procedurë qeveritare, ndërsa mënyra e saktë e përllogaritjes, kushtet, procedura për paraqitjen e kërkesës dhe mënyra e pagesës duhet të përcaktohen më tej.
Masa është dedikuar konkretisht për qytetarët që janë pranë përmbushjes së kushtit minimal prej 15 vitesh stazh dhe jo për blerjen e pakufizuar të viteve për pension.
Qeveria paralajmëron mundësinë e blerjes së stazhit, qytetarët do të mund të blejnë dy vite për pension
Qytetarët të cilëve u mungojnë deri në 24 muaj për ta arritur minimumin ligjor prej 15 vitesh stazh për pension, së shpejti do të mund t’i blejnë vetë këto vite, për të fituar të drejtën e pensionit. Këtë e paralajmëroi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, i cili tha se propozimi tashmë po shqyrtohet në Qeveri. Masa do të vlejë për personat të cilët tashmë nuk janë të siguruar, kanë mbushur 62 vjeç për gra dhe 64 vjeç për burra, dhe kanë të paktën 13 vite stazh pune të realizuar.
“Blerja e stazhit vlen dhe do të vlejë vetëm për ata që tashmë nuk janë të siguruar, kanë mbushur 62-64 vjeç, pra burra-gra, do të kenë të drejtë ata që kanë deri në 13 vite stazh pune, të cilin e kanë bërë në momentin kur kanë mbushur moshën e pleqërisë, pra 24 muaj t’i blejnë stazhin e tyre, përkatësisht të paguajnë për të”, tha Vellkovski.
Do të punohet në formulën për llogaritjen se sa do të duhet të paguajnë qytetarët për ta blerë stazhin, por sipas ministrit, ajo që dihet është se baza nuk do të jetë e plotë, por gjysma e pagës mesatare për vitin e kaluar.
“Të jetë 50 për qind e pagës mesatare nga viti i kaluar, pra nga viti në të cilin ka dalë, përkatësisht në rastin konkret nga viti 2025 do të jetë. Pra, kontributi të paguhet mbi atë pagë. Diku përafërsisht, tani të mos flas për shifrat, megjithatë varësisht se sa muaj i kanë mbetur secilit për të dalë në pension, do të ketë një shumë të caktuar të cilën duhet ta paguajnë vetë qytetarët, ndërsa më pas do ta marrin pensionin e llogaritur me të gjithë parametrat në përputhje me ligjin”, u shpreh Vellkovski.
Llogaritjet janë të ndryshme, por nëse merret parasysh se paga mesatare vitin e kaluar ishte rreth 45.500 denarë, kontributi prej 19,9 për qind do të llogaritet mbi 50 për qind, përkatësisht mbi një bazë prej rreth 22.750 denarësh. Llogaritja e TV21 tregon se shuma mujore që do të duhet të paguhet është rreth 4.500 denarë, ose për një vit 54.000 denarë. Nëse qytetari duhet të blejë 24 muaj, ndërsa paga mesatare mbetet e njëjtë, do të duhet të paguajë mesatarisht rreth 108.000 denarë, përkatësisht rreth 1.750 euro, për të fituar të drejtën e pensionit.

