Partitë shqiptare dje e bënë president, sot i drejtojnë kritika! (VIDEO)

Shpërndaje

Reagime të shumta nga partitë shqiptare pas deklaratave të Presidentit të Shtetit Stevo Pendarovski se heqja eventuale e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të shkaktonte tensione në rajon. Zëvendëskryeministri Bujar Osmani, duke folur për heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, tha se secili vend sovran vendos për te ardhmen e vet në partneritet me miqtë e përhershëm – SHBA dhe BE.

“Shqipëria dhe Kosova janë dy vende sovrane me organe të veta drejtuese legjitime. Secili vend sovran vendos për të ardhmen e vet në partneritet me miqtë tanë të përhershëm SHBA dhe BE”, tha Bujar Osmani, zëvendëskryeministër.

Nga Aleanca për Shqiptarët kërkojnë deklarata më të matura nga Presidenti edhe kur bëhet fjalë për kontestet e pazgjidhura politike mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Edhe nga Lëvizja Besa thonë se nëse integrimi i Ballkanit në BE nuk ndodh së shpejti, heqja e kufijve është legjitime.

“Një nga arsyet kryesore pse shqiptarët janë populli më pro evropian në rajon është pikërisht fakti që me integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian eliminohen edhe kufijtë me çka natyrshëm ndodh bashkimi i gjithë shqiptarëve në kuadër të familjes së madhe të Bashkimit Evropian”, theksoi Arianit Hoxha, Sekretar Gjeneral i Lëvizjes Besa.

Pendarovski plasoi edhe idenë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të ndahen nga pakoja për nisjen e bisedimeve aderuese për në BE. Kryeministri shqiptar Edi Rama e ka quajtur të çuditshme këtë qasje, që sipas tij, nuk duket as e drejtë e as praktike. E zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani i tha TV21 se duhet të kihet kujdes kur flitet për shtetin mik – Shqipërinë në raport me datën për bisedime./TV21/
Nga Agron VRANGALLA/TV21