Shpëton Jankullovska, kjo është drejtësia në Maqedoninë e Veriut?
Gjykata e Lartë e Maqedonisë së Veriut i ka pranuar dhe po i shqyrton shkresat e aktgjykimeve në rastin “Tank”. Mundësitë për shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës Penale të Shkupit (GJPSH) dhe asaj të Apelit kundër të dënuarve Nikolla Gruevski, Gordana Jankullovska dhe Gjoko Popovski, janë reale. Mirëpo në tavolinë janë edhe opsionet e vërtetimit, gjegjësisht zvogëlimit të dënimeve me burg kundër ish-funksionarëve të Qeverisë.
“Procedura për lëndën në fjalë është në vijim e sipër para Gjykatës së Lartë të Maqedonisë së Veriut. Për shkak të interesit të opinioni gjykata me kohë do ti kumtoj vendimet e miratuara, ashtu siç ka bërë te shumë lëndë. Në këto momente nuk mund të dihet se kur do të ketë sillet vendim për këtë lëndë, pasi që procedura është e zakonshme dhe për të njëjtën nuk do të mbahet seancë publike”, thonë nga Gjykata e Lartë.
Gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve pranë GJPSH-së, muajin e kaluar ish-ministres së policisë Gordana Jankullovska, e dënuar me katër vite burg në rastin “Tank”, për shkak foshnjës së vogël të saj ia prolongoi vuajtjen e dënim me burg deri me 2 korrik të këtij viti. Pra, nëse Gjykata e Lartë e drejtuar nga Jovo Vangellovski, deri në fund të qershorit sjell vendim për rigjykim të rastin “Tank”, atëherë Jankullovska sipas të gjitha gjasave do ti shpëtoj dënimit me burg.
Shqyrtimi i lëndës për “mercedesin” e famshëm të Nikolla Gruevski, nga Gjykata e Lartë bëhet në bazë të kërkesë për mjet të jashtëzakonshëm ligjor. Një mundësi të tillë ligjore e shfrytëzoi edhe vet i arratisuri Gruevski, i cili vendosi të ikë drejtë Budapestit pikërisht gjatë kohës kur pritej që vendimin e Gjykatës së Apelit ta dërgoi në Gjykata e Lartën.
Vendimet për vërtetimin, ndryshimin apo shfuqizimin e lëndëve pranë Gjykatës së Lartë miratohen nga Këshill pesë anëtarësh. Pjesë e kësaj gjykatë janë edhe gjashtë gjykatës shqiptar, Shpend Devaja, Xhemali Saiti, Fair Arsllani, Beda Ademi, Isamedin Limani dhe Afrim Fidani. Megjithatë ende nuk është bërë publike se kush do të përben Këshillin penal për rastin “Tank”, gjegjësisht cilët gjykatës do të vendosin për fatin e Jankullovskës.
Ndryshe, kreu i Gjykatës së Lartë të Maqedonisë së Veriut, gjykatësi Jovo Vangellovski, njihet si kundërshtar i funksionimit të Prokurorisë Speciale Publike, e cila e ka iniciuar akuzën për rastin “Tank”. Njëherit në maj të vitit 2017, kjo gjykatë me kërkesë të kryeprokurorit të atëhershëm Marko Zvërlevski, ia shfuqizoi masën e paraburgimit afaristit Sedat Koçan, i dënuar në rastin “Trust”.
Vendim tjetër i Gjykatës së Lartë kundër politikave dhe funksionimit të PSP-së, ndodhi në fund të vitit të kaluar, kur u pranua iniciativa e avokatit Elenko Millano, i cili kërkoi që prokurorja e Katica Janevës të shpallet si jo kompetente për shqyrtimin e lëndëve pas datës 30 qershor 2017./alsat/