Tetovari me plis thotë: Selia e Bdi-së duhet të shkojë në Rusi (Video)

Shpërndaje

Qytetarët e Tetovës shprehin fuqishëm indinjatën dhe zhgënjimin e tyre nga bisedat e përgjuara telefonike, ku personalitete të ndryshme dhe vet tetovarët janë ofenduar rëndë.

“Kohët e fundit të gjithë jemi dëshmitarë nga ajo që po dëgjojmë në këto biseda të eksponentëve kryesorë të një partie politike, që është në pushtet gati 20 vite.

Niveli i ulët i komunikimit, inskenimet e situatave para-politike, emërimet, denigrimi i pozitës së femrës shqiptare në shoqëri, shantazhet ndaj kundërshtarëve poltik dhe familjeve të tyre, nënçmimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe, korrupsioni dhe demotivimi i brezave për një të ardhme më të mirë në këtë shoqëri, janë sinjale që këto personazhe nuk meritojnë të jenë vendim-marrës për procese të rëndësishme që kanë të bëjnë me jetët tona.

Prandaj, kërkojmë urgjentisht që selia e kësaj partie, pra e Bashkimit Demokratik për Integrim të largohet nga Tetova në afat të pacaktuar kohor. Kërkojmë edhe angazhimin e antarëve të ndershëm tetovarë të kësaj partie që të bëjnë presionin e tyre, që kjo parti mos të mbetet peng e personave me hipoteka të ndryshme nga e kaluara.

Kjo së pari do të jetë për të mirën e tyre e pastaj edhe për qytetarët e Tetovës dhe rrethinës më të gjerë”, thuhet në reagimin e intelektualëve, aktivistëve qytetarë dhe ish ushtarëve nga Tetova.

Në ndërkohë, qytetarët e anketuar në qytetin e Tetovës, thonë se ndjehen të ofenduar dhe fyer nga ana e funksionarëve të BDi-së dhe kreut të saj.

Nga BDI-ja, kanë qenë të pakapshëm për të dhënë qëndrim lidhur me përgjimet e ditëve të fundit që janë publikuar nga El Cheka, ku dëgjohen se si ofendojnë dhe fyejnë tetovarët.