KURRË NUK KA RËNË MË POSHTË POPULLI SHQIPTAR!

Shpërndaje

Shqiptarët sot, me pak përjashtime, udhëhiqen kryesisht nga agjentë të huaj, kriminelë, hajdutë, kontrabandistë dhe të sëmurë psikikë.

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Mjafton t’i ndiqni paraqitjet e tyre në parlamente dhe qeveri, t’i përcillni me vëmendje se çfarë thonë në tubime dhe media, çfarë shkruajnë e publikojnë mediat për veprimtaritë e tyre, pasuritë e vjedhura marramendëse, vrasjet e porositura me urdhëra të tyre apo nga vetë ata, marrëveshjet e hapura dhe të fshehta me të huajit, trafikun me drogë dhe lidhjet e tyre me nëntokën kriminale, vetëm mund ta mjeroni vetveten dhe këtë popull në duart e kujt ka mbetur fati i tij.

Fati i një populli, i shtetit, politikës dhe ekonomisë, identitetit kombëtar, gjuhës, historisë dhe kulturës, si dhe prestigji ndërkombëtar të tij, varen nga udhëheqësit e atij populli, dija, aftësitë, karakteri dhe niveli i besueshmësisë së pjesëtarëve të atij populli ndaj këtyre udhëheqësve.

Nëse i krahasojmë udhëhqësit e popullit shqiptar sipas periudhave të ndryshme historike, asnjëherë ky popull nuk ka pasur udhëheqës me besueshmëri më të ulët, më të përfolur për korrupsion dhe krime, për amoralitet, hajdutëri dhe cilësi të tjera që nuk duhet t’i karakterizojnë as udhëheqësit e një katundi diku në skajet më të largëta të vendit, jo më të një shteti dhe kombi me tradita të lashta, trimëri, besë e fisnikëri.

Në institucionet e shtetit, aty ku duhet të kuvendohet për fatin e vendit dhe të ardhmen e tij, për sovranitetin dhe sigurinë kombëtare, zhvillimin, përparimin, progresin, të sotmen dhe të ardhmen e një populli të tërë, udhëhqësit e sotëm të popullit shqiptar vetëm aktrojnë, shajnë e ofendojnë, për fis e familje, për nënë e grua, për fëmijë e gjen; nuk diskutojnë por vetëm bërtasin, zihen e përlahen mes vete për korrupsion, krime, tradhti, për gjithçka që nuk u takon udhëheqësve të denjë të një shteti e një kombi. Populli shqiptar nuk e meriton këtë fat, nuk i meriton këta udhëheqës banditë!

Po t’i zgjidhnin shqiptarët udhëheqësit e tyre edhe symbyllur nga turma, asnjëri prej tyre nuk do të dilte i lig (jo më shumica e tyre) si këta që janë sot në pushtet!

Si e duron populli shqiptar gjithë këtë poshtërim? Sa turp!