UNT organizoi seminarin “Zhvillimi i Stafit 2026” për avancimin e arsimit dhe digjitalizimin
UNT REALIZOI ME SUKSES SEMINARIN AKADEMIK “ZHVILLIMI I STAFIT 2026” PËR AVANCIMIN E MËSIMDHËNIES, DIGJITALIZIMIN DHE PËRAFRIMIN E KURRIKULAVE ME TREGUN E PUNËS
Shkup, 17.11.2026 – Sot, në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, u realizua me sukses seminari për ngritjen e kapaciteteve të stafit akademik me titull “Zhvillimi i Stafit 2026”. Veprimtaria mblodhi stafin akademik, dekanët, prodekanët, koordinatorët e programeve dhe drejtuesit e universitetit, me synim avancimin e praktikave të mësimdhënies, vlerësimit dhe mbështetjes akademike për studentët.
Seminarin e hapi rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i cili theksoi se zhvillimi i stafit akademik merr kuptim të plotë atëherë kur rezultatet e tij reflektohen drejtpërdrejt në përvojën e përditshme të studentëve, ndërmjet udhëzimeve më të qarta, këshillimit në kohën e duhur dhe metodave të vlerësimit që matin arsyetimin dhe zbatimin praktik të njohurive. Rektori vuri në pah rëndësinë e ndërthurjes së transformimit digjital, përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në arsim dhe bashkëpunimit të ngushtë me sektorin e biznesit, duke ftuar fakultetet që që nga semestri i ardhshëm të zbatojnë ndryshime konkrete në programet e tyre.
Programi i seminarit, i moderuar nga Prof. Dr. Genta Spahija Mirzo, u zhvillua në katër sesione tematike.
Në sesionin e parë, u diskutua për digjitalizimin institucional nga z. Festim Kamberi i cili prezantoi platformën e digjitalizimit të universitetit, duke vënë theksin te lehtësimi i qasjes së studentëve në informacion dhe ulja e ngarkesës administrative për stafin akademik.
Gjatë sesioni të dytë u elaborua për këshillimin akademik nga znj. Burbuqe Hamzai e cila trajtoi mbështetjen dhe orientimin e studentëve ndërmjet këshillimit, me fokus te zhvillimi i shkathtësive të të nxënit, përcaktimi i objektivave dhe monitorimi i përparimit akademik.
Sa i takon sesionit të tretë, theks të veçantë iu dha inteligjencës artificiale në arsim, nga rektorit UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji i cili analizoi rolin dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në mësimdhënie, duke shtruar qasje praktike për hartimin e detyrave ku studentët përdorin mjetet e IA-së në mënyrë transparente, verifikojnë burimet dhe mbrojnë arsyetimin e tyre kritik.
Në sesionin e katërt u diskutua për kurrikulat në tregun e punës, nga Z. Sami Morina, kryetar i Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), solli perspektivën e punëdhënësve mbi shkathtësitë praktike që u nevojiten të diplomuarve, duke theksuar rëndësinë e rasteve studimore, të menduarit kritik dhe lidhjes së drejtpërdrejtë të kurrikulave me praktikat profesionale.
Në përmbyllje të punimeve, u përcaktuan hapat konkretë vijues për njësitë akademike. Në kuadër të konkluzioneve të seminarit, secili fakultet i UNT-së u ngarkua me detyrën që, në bashkëpunim me një fakultet të një universiteti tjetër, të përgatisë një kurrikulë të re të një programi studimi me diplomë të dyfishtë, së paku në nivelin Master.

