Çfarë po fshihet në fshatin të cilin Shqipëria, nuk pranon ta regjisrojë në hartë? (Video)

Shpërndaje

Rruga nacionale kthehet pas shpatullave të Memaliajt, në drejtim të aksit që e lidh me qytetin e Beratit.

“Udhëtojmë drejt fshatit Rabije të Komunës Luftinjë, një fshat që sipas banorëve nuk ekziston as në hartë, e që megjithatë ende nuk është braktisur krejtësisht”.

Ajo që duket fillimisht si një rrugë e shkurtër, kthehet shpejt në një aks të pafundëm për shkak të degradimit të tij. Sa më thellë, aq edhe më i vështirë bëhet kalimi, qoftë edhe me një makinë të lartë. Shpesh këtu duket sikur s’ka kaluar kurrë gjësendi. Asnjë tabelë e zona të tëra të shkreta, që derdhen në horizont.

Pas një rrugëtimi të stërzgjatur për jo më shumë se 30 kilometra shfaqet Rabija, fshati që dikur ka pasur mëse 800 banorë, e që sot është tkurrur në rreth 15 familje. Ai është ndërtuar, apo më mirë rindërtuar në vitin 1969, pas tërmetit që goditi të gjithë këtë zonë.

“Deri mësot nuk ka funksionuar asnjë lloj gjëje. Nuk ka vënë dorë asnjë lloj pushteti, sa kanë ikur janë ndërruar, gjë prej gjëje. Këtu nuk është vënë dorë”, thotë Arben Dorda.

Gjithçka në fshat duket gri, ashtu si çatitë me eternit, që mbulojnë thuajse të gjithë shtëpitë e tij. Shumica e tyre janë të braktisura. Kush ka mundur është larguar. Të qëndrosh në një vend thuajse të izoluar është e vështirë, për të mos thënë e pamundur.