BotaTop Lajme

Policia ruse arreston mbi 2 mijë protestues të opozitës që kërkojnë lirimin e Navalnyt

Shpërndaje

Protestat në Rusi në mbështetje të kritikut të Kremlinit të arrestuar, Alexei Navalny po vazhdojnë edhe këtë të diel.

Deri më tani sipas Grupit për Monitorim të Protestës (OVD), përcjell Telegrafi, policia ruse ka arrestuar 2,119 persona në 40 qytetet e Rusisë, të cilët po bëjnë thirrje për lirimin e Navalnyt.

Mbështetësit e tij në Moskë janë tubuar afër objekteve qeveritare dhe objektit të Shërbimit të Brendshëm rus të Inteligjencës (FSB).

Pavarësisht paralajmërimeve të policisë që ka bërë thirrje që të mos mbahen protesta, protestuesit kanë mbushur rrugët në tërë Rusinë.

Navalny u arrestua në 17 janar pas arritjes në Rusia nga Gjermania, ku kishte qëndruar pesë muaj për t’u shëruar nga helmimi me agjentin nervor Novichok.

Arrestimi i tij shkaktoi protesta mbarëkombëtare një javë më parë në rreth 100 qytete dhe sipas njoftimeve, gati 4,000 njerëz u arrestuan.

Protestat e 23 janarit në mbështetje të Navalnyt ishin më të mëdhatë dhe më të përhapurat në Rusi pas shumë vitesh dhe autoritetet po përpiqen të mos lejojnë përsëritjen e tyre. Policia zhvilloi një seri bastisjesh këtë javë në apartamente dhe zyra të familjes Navalny, të bashkëpunëtorëve të tij dhe të organizatës së tij kundër korrupsionit. /Telegrafi/