Maqedoni

VMRO-DPMNE padit ish-prokurorët e Speciales!

Shpërndaje

VMRO-DPMNE në Prokurorinë Publike Themelore ka ngritur padi penale kundër Katica Janevës, Fatime Fetait, Lençe Ristoskës, Lile Stefanovës dhe prokurorëve të tjerë të PPS-së. Akuzojnë se ata në periudhën prej vitit 2015 deri në 2019 në mënyrë të paligjshme kanë marrë kompensime dhe shtesa në rrogat e tyre, me çka e kanë dëmtuar buxhetin për 4.6 milionë euro.

“Këta prokurorë janë shpërndarë në poste nëpër Prokurori Publike në Maqedoni, dhe ata si njerëz të komprometuar kryejnë punën e prokurorit. Prandaj, kërkojmë që këta prokurorë të suspendohen sepse me paramendim i kanë kryer këto vepra dhe kanë realizuar përfitim në pronë, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit”, deklaroi Naum Stoilkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

TV21 u përpoq të marrë qëndrime nga disa prej ish-prokurorëve të speciales, por Lençe Ristoska ishte e vetmja që pranoi të flasë.

“Nuk shoh nevojë të komentoj sepse vlerësimin për bazat e denoncimeve është në kompetencë të institucioneve ku janë dorëzuar”, tha Lençe Ristovska –ish-Prokurore në PPS.

Në shtator 2020, Enti për Revizion, në raportin e saj vëretoi se rrogat dhe një pjesë e shtesave janë në përputhje me ligjin, por një pjesë janë paguar në mënyrë të paligjshme.

“Lidhur me ushtrimin e së drejtës për shtesa të tjera, saktësinë e llogaritjes, evidentimin dhe pagesën, kemi vërtetuar se ato nuk janë në përputhje, në të gjitha aspektet materiale, me legjislacionin përkatës dhe aktet e brendshme”, thuhet në raportin e Entit për Revizion për Prokurorinë Publike Speciale.

Kur u pat publikuar, kundër këtij raporti të Revizionit pati reaguar ish-kryeprokurorja e PSP-së, Katica Janeva, duke thënë se e konteston ligjshmërinë në veprimet e Entit për Revizion dhe ekipit revidues, duke u shprehur se është e dukshme se përmbatja është e bërë me porosi të Prokurorisë, e cila atë kohë e hetonte për rastin Reket./TV21