Kurteshi thotë se KQZ-ja ka shkelur të gjitha afatet kohore për votuesit jashtë vendit

Shpërndaje

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka thënë se KQZ-ja i ka shkel të gjitha afatet kohore për votuesit jashtë vendit.

Kurteshi po ashtu ka akuzuar KQZ-në për vonesa sa i përket procesit të verifikimit të aplikacioneve dhe nxjerrjes së listës përfundimtare të votuesve jashtë vendit.

Kurteshi përmes një konference për media tha se “KQZ-ja i ka plotësuar të gjitha kushtet për kryerje të veprës penale siç është ‘Cenimi i të drejtës për ushtrimin e mjetit juridik’ ”.

“Vonesat për publikimin e listave përfundimtare janë evidente, ende nuk e kemi të gatshme ata nuk mund ta dinë se kush janë verifikuar nuk e dimë se sa njerëz janë telefonist e si janë telefonuar. Votuesit jashtë vendit janë me të drejtë të shqetësuar me këto shtyrje dhe shkelje brutale të te drejtave të tyre në vend se sot të votojnë për shkak të afateve të shkurta sepse Gjykata Kushtetuese po punon me kokë në vete, pa parë asnjë rrethanë ka vendosur që votat jashtë vendit – të numërojë ato që vijnë 24 orë para ditës se zgjedhjeve’, tha Kurteshi.

Ai po ashtu tha se një tjetër shkelje të cilën e ka kryer KQZ-ja është edhe “Parandalimi i ushtrimit të drejtës për të votuar” si dhe “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë procesit të zgjedhjeve”.

“Verifikimi me telefon ka mbetur diku rrugës e nuk e dimë saktësisht sa njerëz janë telefonuar…KQZ ka kaluar në rrafshin e kryerjes së veprave penal, njëra nga veprat është ‘Cenimi i të drejtës për ushtrimin e mjetit juridik’, kjo është shkelur pasi ka qenë prej 25 deri më 27 janar. Këtë besoj nuk e dinë qytetarët pasi kjo nuk është përmendur askund”, ka thënë ai.