Në Senatin amerikan fillon sot gjykimi për impiçmentin e Donald Trampit

Shpërndaje

Në Senatin amerikan fillon sot procesi gjyqësor për revokimin e ish-presidentit amerikan Donald Tramp, procedurë që e ka hapur Dhoma e Përfaqësuesve para largimit të Tramp nga pushteti.

Sipas Zërit të Amerikës (VOA), Dhoma e Përfaqësuesve pritet ta parashtrojë aktakuzën kundër Trampit, ish-presidentin do ta përfaqësojnë avokatët e tij, ndërsa senatorët do të jenë juritë për të vendosur mbi fajësinë e Trampit.

Tramp akuzohet për nxitje të kryengritjes së mbështetësve të tij, të cilët sulmuan Kongresin më 6 janar dhe e pushtuan atë për katër orë gjatë një seance speciale më vonë atë natë që konfirmoi fitoren e Xho Bajdenit në zgjedhjet presidenciale. Pesë persona u vranë gjatë dhunës në Kongres.

Pak para sulmit në Kongres, Tramp ndezi atmosferën e protestës në Uashington, duke përsëritur pohimet e pabazuara se ai ishte grabitur në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Që Tramp të dënohet nevojitet dy e treta e shumicës në Senat, ose 67 senatorë, që do të thotë se së bashku me të gjithë 50 demokratët, 17 senatorë republikanë duhet të votojnë për impiçmentin, shton Zëri i Amerikës.

Agjencitë botërore kujtojnë se Dhoma e Përfaqësuesve në dhjetor të vitit 2019 votoi për herë të parë për të hequr Trampin nga detyra, por Senati, i cili në atë kohë kishte shumicën e republikanëve të tij, e liroi atë nga akuzat në gjyq.

Tramp është i vetmi president i SHBA-së që do të fajësohet dy herë nga dhoma e ulët e Kongresit. Para kësaj, Dhoma e Përfaqësuesve e rrëzoi presidentët Endrju Xhonson në 1868 dhe Bill Klinton në vitin 1998, por Senati më vonë i liroi ata nga aktakuza.