Abdixhiku: Kryesia ka vendosur që të marrim pjesë në votim për presidentin, pres nga deputetët ta respektojnë vendimin

Shpërndaje

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë pas mbledhjes me GP të LDK-së, se kryesia e partisë ka vendosur me shumicë absolute që të marrin pjesë në votim për presidentin, raporton Gazeta Express.

“Pas një diskutimi të hapur, të gjithë bashkarisht kemi marrë vendim që LDK nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidenti të vendit, dhe LDK të marrë pjesë në votimin për presidentin, ky është vendim i Kryesisë i votuar me shumicë absolute. Pres që secili deputet të respektojë vendimin e shumicës dhe pres që nga secili deputet të sillen si institucionalist dhe ta kapërcejnë veten dhe cfarëdo hidhërimi që mund të kenë”, tha Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku ka thënë se ka informuar organet e partisë për secilin takim që ka pasur me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurti dhe temat që kanë biseduar.

“Në takimin e parë kam diskutuar me zonjën Osmani dhe zotin Kurti, dhe në takimin e dytë jam takuar vetëm me pretendenten për presidente.Në takimin me zonjën Osmani kemi takuar mbi dialogun, mbi rendin kushtetues dhe garancitë që i njëjti të ruhet me fanatizëm, kemi diskutuar për lidhjet tona me miqt tanë strategjikë, për ruajtjen e shtyllave kryesore të shtetit tonë të ri.Kemi diskutuar për pozitën apartiake të zonjës Osmani, detyra e tillë plotësohet dhe merr kuptim nga ushtruesi i saj. Këto biseda ua kam prezantuar organeve të partisë”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së poashtu u shpreh se me forcën politike që ka partia ka pasur dy mundësi ose të zgjedh obstruksionin ose të jenë pjesë e zhvillimeve.

“Me forcën politike që kemi momentalisht kam pasur dy mundësi, një të zgjedh obstruksionin dhe kështu të pengojmë shumicën të marr vendim ose të jemi pjesë e zhvillimeve duke respektuar frymën kushtetuese për stabilitet politik kemi zgjedhur të dytën sepse këtë rrugë LDK e ka ndjekur përherë dhe këtë rrugë e kam zgjedhur unë dhe kolegët e mi, kam refuzuar kushtëzimet, kush se kupton këtë se ka kuptuar rrugën e LDK-së”, u shpreh Shefi i LDK-së.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bije 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh./GazetaExpress/