Maqedoni

Besimi: Borxhi i ri prej 700 milion eurove, e ka normën e interesit më të ulët

Shpërndaje

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, sot në konferencë për shtyp ka dhënë detaje për huamarrjen më të re të vendit që kap vlerën prej 700 milion euro.

Ai deklaroi se kjo huamarrje e ka normën më të ulët të interesit nga huamarrjet paraprake me 1.625%.

Siç deklaroi ai, interes për euro-obligacionin e vendit kanë pasur 130 investitorë ndërkombëtarë dhe oferta ka qenë për 2.3 herë më e lartë, gjegjësisht se ka pasur interes për hua të 1.6 miliardë eurove.

“Një interes i madh i këtillë tregoi se investitorët kanë besim në politikat investuese që i realizojmë dhe nga këtu doli edhe interesi i madh për euro-obligacion edhe gjatë kohës së krizës Covid. Interesimi i madh ka dërguar edhe te ajo që të kemi rekord në normën e interesit të ulët e cila e ka thyer edhe rekordin e normës më të ulët të interesit të vitit 2018-të”, tha Besimi.

Besimi deklaroi se norma e interesit për këtë huamarrje është më e vogla në tërë rajonin, ndërkaq është njoftuar se paratë që janë marrë do të shërbejnë për kthimin e huamarrjes paraprake në vlerë prej 50 milionë euro nga viti 2014-të.