I lindur në Shkup, i regjistruar në Serbi, ja me çfarë përballen personat pa shtetësi

Shpërndaje

I lindur në komunën e Çairit, ndërsa në çertifikatë, vendi i lindjes i figuron Serbia. Këtë hall e tregon Afet Kaloshi, i cili nuk e gëzon të drejtën e shtetësisë. Por ai nuk është i vetëm. Sikur ai këtë problematikë e kanë edhe shumë qytetaër të tjerë, disa prej të cilëve erdhën në Kuvend për të ndarë hallin e tyre para mediave.

Afet Kaloshi, pa shtetësi

“Kam lindur në RMV, në komunën e Çairit, në rrugën ‘Dizhonska 19/1’, vitin ’72. Jemi këtu 60 vite. Kërkesa ime bëhet prej ’98 deri tash. Askush nuk më ka dhënë asnjë përgjigje. Jam i lindur këtu, kur më japin çertifikatën e lindjes më del Serbi dhe Bosnje Hercegovinë”.

Ato i kanë humbur shpresat që moti se mund të fitojnë këtë të drejtë, pasi ka 30 vite që ata e bëjnë një kërkesë të tillë. Ato tregojnë se si pasoj e kësaj, të gjitha shërbimet e shtetit që janë pa pagesë, si persona fantom ata duhet t’i paguajnë.

Pa shtetësi

“Unë këtu jam e martuar 30 vjet, nuk kam shtetësi, katër herë kam ardhur, më kanë refuzuar përshkak të gjuhës. Kontrollet i bëjë 1000-2000 denarë, gjithë me para. Tash udhëtoj me lëtërnjoftim të Kosovës, këtu nuk kam asnjë dokument”.

Rmadan Azizi së bashku me tre motrat, vëllain dhe babain janë pa shtetësi. Ai thotë se është lindur, rritur dhe shkolluar në qytetin e Kumanovës, por për shtetin kjo nuk është e mjaftueshme, që t’i japë shtetësi.

Ramadan Azizi, pa shtetësi

“I lindur në Kumanovë, vitin 1984. Vetë i pesti antarë, 2 vëllezër dhe 3 motra. Jemi lindur dhe rritur, jemi shkolluar në vendin e lindjes. Gjithmonë me çertifikata të lindjes, gjithë kemi numra personal, e drejta e shtetësisë na është mohuar përshkak se baba është i lindur në Kosovë dhe të ardhur në Kumanovë jemi para 80 viteve”.

Deputeti i koalicionit Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët Skender Rexhepi shprehet i vendosur se nuk do të tërhiqen nga bllokimi i Kuvendit dhe nuk pranojnë asnjë kompromis tjetër, pa Ligjin për Shtetësi. Rexhepi tha se deklaratat e qytetarëve janë dëshmia e asaj, që ata si koalicion e përsërisin çdo ditë që dhjetëra e qindra qytetarë të vendit janë pa shtetësi.

Skender Rexhepi, koalicioni Aleanca për Shqiptarët

“Sot ne si grup parlamentar, deputetët e Koaliconit Aleanca për Shqiptarët – Alternativa ftuam një grup qytetarësh të cilët nuk kanë shtetësi për të cilët ne dëshirojmë të jemi zëri i tyre dhe i paraqitëm në hyrje, megjithatë për faktin që këta nuk kanë letënrnjoftime nuk iu mundësua që si mysafir t’i fusim në Kuvend. Kjo është ajo për të cilën ne flasim vazhdimisht”.

Ai më tej bëri me dije se të mërkurën në ora 10:00, dy kryetarët e partive të tyre do të takohen me kryeministrin dhe përfaqësuesit e Qeverisë bashkë me dy kooridnatorët e koalicionit dhe të Qeverisë, me qëllim që të gjindet zgjidhje për Ligjin për Shtetësi.

Përndryshe, Ligji për Shtetësi ka bllokuar për disa javë Kuvendin, ndërsa partitë politike dje paralajmëruan se gjatë javës së ardhshme do të ulen për të gjetur zgjidhje./SHENJA/