Në Serbi sot protestohet kundër racizmit ndaj shqiptarëve

Shpërndaje

Organizata “Gratë në të zeza” në Serbi ka njoftuar se sot do të zhvillojë një protestë kundër racizmit ndaj popullit shqiptar.

Në njoftim thuhet se kjo organizatë dënon gjuhën e urrejtjes, intolerancës dhe ksenofobisë kundër komunitetit shqiptar në Serbi si dhe kundër shqiptarëve të Kosovës.

Organizata njofton se protesta do të zhvillohet në Ditën Ndërkombëtare kundër racizmit dhe se ajo do të zhvillohet nga ora 13:00 deri në ora 13:30, transmeton Koha.net.

“Me rastin e albanofobisë në rritje në Serbi, “Gratë në të zeza” po organizojnë një aksion anti-racist më 21 Mars – Ditën Ndërkombëtare kundër Racizmit, në rrugën Knez Mihailova, nga ora 13:00 deri në 13:30. Ne dënojmë ashpër gjuhën e urrejtjes, intolerancën dhe ksenofobinë kundër komunitetit shqiptar në Serbi, si dhe kundër shqiptarëve të Kosovës. Përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Serbisë po prezantojnë termin racist dhe diskriminues ‘Shiptar’ në komunikimin zyrtar. Kjo legalizon gjuhën e urrejtjes shoviniste dhe raciste dhe shkel Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.