Rama: Skuadra e PD-së për Tiranën, katastrofë

Shpërndaje

Gjatë prezantimit të ekipit të tij në zgjedhjet e 25 Prillit në Tiranë, kreu i qeverisë Edi Rama u ndal për të folur edhe për kundërshtarët e tij në Partinë Demokratike. Kryeministri u shpreh se skuadra e selisë blu për Tiranën është më katastrofikja. Sipas tij, kombinimi i personave në listën e PD-së është fatal për drejtësinë, ekonominë dhe Shqipërinë nëse marrin drejtimin e vendit.

Rama tha se kreu i PD-së, Lulzim Basha, është thjesht administrator i kësaj partie, ndërkohë që sipas tij, ata që i luajnë ‘fijet’ nga pas janë Ilir Meta, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi.

“E patën mundësinë qysh në shekullin e kaluar ta tregojnë veten dhe e treguan se për sa vlejnë. Jam i bindur sikur ne të kishim kapacitetin të bënim një eksperiment dhe ta rikthenim filmin e historisë dhe të rikthenim protestat studentore dhe në atë shesh atje përballë asaj turme me 100 mijë që kërkonin heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti, të projektonin në një ekran të madh skuadrën e Tiranës të vitit 2021, do iknin të gjithë me vrap, jo më të vazhdonin të protestonin. Investojnë besim tek një skuadër e cila në Tiranë ka shëmbëlltyrën e vet më katastrofike, por në themelin e vet ka faktikisht një kombinim fatal personash që largqoftë i bie të jenë ata që nesër kontrollojnë drejtësinë, ekonominë, kontrollojnë Shqipërinë me një lider që nuk është lider, por thjesht administrator dhe me Ilir Metën, Monikën e Saliun që luajnë nga mbrapa të gjitha fijet e atij teatri kukullash. Është e pamundur ta imagjinosh që mes kujtdo qoftë në këtë skuadër dhe shumëkujt në atë skuadër, se nuk i fus të gjithë në një thes, por ajo në peshon në atë skuadër, ai që është boshti i asaj skuadre, aty ku buron vendimmarrja e asaj skuadre është një katastrofë dhe zgjedhja në këtë rast është e qartë njësoj siç është qielli që kemi mbi krye”, tha Rama. /tvklan.al