Presidentja Osmani priti në takim ish-Presidentët Sejdiu, Jahjaga dhe Pacolli (Foto)

Shpërndaje

Presidentja Osmani ka thënë se ftesa e saj për takim me tre ish-Presidentët, është me qëllim për të ndërtuar një kulturë të re institucionale të respektimit të memories dhe traditës institucionale.

“Po ashtu, për të ndërtuar një model të ri të konsultimit të vazhdueshëm të ish-presidentëve sidomos për çështje që janë të interesit nacional, dhe të mirëqenies së qytetarëve tanë, në mënyrë që të mësojmë nga përvoja e tyre, dhe vazhdimisht t’i bashkojmë forcat tona që t’i zgjidhim problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë, të cilët, gjithsecili prej presidentëve i kanë shërbyer në faza të caktuara”, ka thënë Presidentja Osmani.

Duke vlerësuar kontributin dhe angazhimin e ish-Presidentit Fatmir Sejdiu, Presidentja Osmani ka theksuar se Presidenti Sejdiu, Presidenti i parë i Republikës së Kosovës pas pavarësisë ka qenë njeriu kyç në proceset më historike të shpalljes së pavarësisë së vendit.

Ajo më tej ka vlerësuar kontributin dhe angazhimin e ish-Presidentes Jahjaga, si presidentja e parë grua.

“Presidentja Jahjaga, si Presidentja e parë grua, e cila ndërtoi një model të shkëlqyeshëm jo vetëm të përfaqësimit të gruas brenda vendit, por përfaqësimit të interesave të gjithë qytetarëve edhe jashtë vendit, dhe po ashtu duke shtyrë përpara kauza siç është barazia gjinore, e në veçanti çështja e personave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Kauzë që shpresoj do ta shtyjmë përpara së bashku derisa të kemi drejtësi për secilën nga viktimat”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja e vendit, ka vlerësuar angazhimin edhe të Presidentit Pacolli.

“Presidenti Pacolli, i cili njëkohësisht ka shërbyer edhe si Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër që ka mbuluar politikën e jashtme për një kohë të gjatë, për të bashkëpunuar në veçanti sa i përket çështjes së raporteve bilaterale me shtetet veç e veç, por edhe synimet multilaterale, shumëpalëshe që i ka Republika jonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Nga ana tjetër, ish- Presidenti Fatmir Sejdiu, fillimisht ka uruar Presidenten Osmani për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar sukses në punën e mëtejme. Ai ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë vendin në proceset e rëndësishme. “Sikur që e kam ofruar që nga fillimi çdo takim që kam pas me presidentët e zgjedhur të Kosovës, me gjithë potencialin, me gjithë kapacitetet që kam të jap përvojën time, të ndihmoj vendin”, ka thënë ish-Presidenti Sejdiu.

Ish Presidentja Jahjaga, pasi e uroi presidenten Osmani, tha se është zgjedhja e duhur në krye të shtetit.

“Jeni zgjedhja e duhur, në momentin e duhur për Kosovën dhe gjithë qytetarët e Kosovës, veçanërisht për gruan e Kosovës. Kemi shumë punë për të bërë së bashku”, ka thënë ish-Presidentja Jahjaga.

Kurse, ish-Presidenti Pacolli ka thënë se ndihet i lumtur që Kosova ka një përfaqësim dinjitoz.