Seanca për zgjedhjen e presidentit mbahet sonte në ora 18:00

Shpërndaje

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se është vendosur që seanca për zgjedhjen e Presidentes të mbahet sonte në ora 18:00.

Pas kësaj ajo deklaroi se si Grup Parlamentar kanë shprehur gatishmërinë që të bëjnë hapat e duhur për mbarëvajtje të suksesshme të një seance e cila pastaj do të përmbyllet me zgjedhjen e presidentit.

“Ashtu siç jeni informuar sot në mëngjes edhe publikisht Konjufca, Kurti dhe Osmani kanë dhënë garanca publike që asnjë hap tutje s’do të bëhet për Ligjin për Zgjedhje pa përfshirje të opozitës dhe për inkuadrim të tyre në reformën zgjedhore.Ajo çka ne mund të deklarojmë se dje deputetët e VV-së bënë iniciativë konform me të drejtën e mërgatës për të votuar në zgjedhjet parlamentare dhe jo shantazh apo si u deklarua mbrëmë.Derisa të gjitha hapat në përputhshmëri me Kuvendin janë ndjekur për mbajtjen e seancës deri tek procesi i votimit. Ne paralelisht po përgatisim një proces gjithëpërfshirës për Ligjin për Zgjedhje, duke mos hequr dorë nga domosdoshmëri për ofrimin e mundësisë që mërgata të mund të votojë në kuadër të diplomacisë kudo që ato janë të hapura.Besoj që sot të gjithë do të jenë në krye të detyrës dhe do të jenë në seancë për votimin e presidentit.E para e punës është se dje me votimin është përmbyllur çështja e projektligjit, brenda periudhës së shkurtuar kohore”, tha Kusari-Lila, shkruan lajmi.net.

Tutje ajo theksoi se me refuzimin e votave të deputetëve me mos-mundësinë që të kenë 2/3 e votave në favor ai projektligj ka rënë nga shqyrtimi në atë format, në formatin që aktualisht është në sistem të Kuvendit ku do të shohim realizimin e një seance të mirëfilltë sonte për zgjedhjen e presidentit.

“Prapë më duhet të komentoj se përfaqësuesit e LDK-së e dhanë sot këtë deklaratë dhe lëshuan mbledhjen pa dëgjuar nga ne argumentet, që do të qonin në këtë që unë e thash para jush që me votimin e mbrëmshëm ligji është ndaluar në procedurë.Trajtimi i mëtutjeshëm në procedurë të rregullt nënkupton tërheqje nga procedura e përshpejtuar”, shtoi ajo.