Destani pjesëmarrës në Konferencën Ndërkombëtare “Rruga drejt Prespës”

Shpërndaje

Sipërmarrës i suksesshëm Lazim Destani në rrjetin e tij facebook, ka shkruar se me interes të veçantë këto dy ditë po i ndjek punimet e Konferencës Ndërkombëtare në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog që mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, organizuar nga Qeveria e vendit.

Postimi i plotë:

Me interes të veçantë këto dy ditë po i ndjek punimet e Konferencës Ndërkombëtare në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog që mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, organizuar nga Qeveria e vendit. Në këtë Konferencë, të titulluar “Vendet e Ballkanit – Pjesa që mungon për të qenë Europa e plotë”, marrin pjesë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit, zyrtarë, politikanë e diplomatë të lartë nga Bashkimi Europian e ShBA, ekspertë për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. Pesha dhe përmasat e kësaj Konference, me mbi 300 pjesëmarrës, këtë ngjarje e bëjnë të jetë e para e këtij niveli, e mbajtur ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.

Nga disa panele të zhvilluara paralelisht, sot para dite e ndoqa seancën për Ekonomi dhe Biznes ku folësi kryesor ishte Zv.Ndihmës Sekretari Shtetëror i SHBA-ve për Europë, Mathew Palmer. Seanca përfundoi si shumë e suksesshme duke sjellë frymë dhe pritshmëri reale për zhvillimin ekonomik të vendeve tona e të rajonit në përgjithësi.

Është gjithashtu për ta veçuar dhe ndjekjen e seancës së pasditës, Hapja zyrtare e Konferencës “Rruga drejt Prespës”, ku folësi kryesor ishte Kryeministri Zoran Zaev. Në këtë panel, lidhur me tejkalimin e sfidave në rajonin tonë, pikëpamjet e tyre i shfaqën zyrtarë të lartë e diplomatë nga Bashkimi Europian dhe ShBA si, Philip Reeker, Johannes Hahn, Mathew Nimetz, Lordi Robertson, e të tjerë.