Ndërtuesi në Tiranë prish asfaltin për të marrë sa më shumë metra për pallat…!
Jeta në kryeqytet i ngjan çdo ditë e më shumë një labirinthi ku në rast se nuk i bën sytë katër në çdo hap, mund të biesh në gropë. Ky është rreziku që iu kanoset çdo ditë banorëve të lagjes “Ali Demi” në Tiranë, të cilët për shkak se një ndërtues ka bërë gati gropën e pallatit, kanë ngelur pa rrugë dhe në rrezik të vazhdueshëm në dalje dhe hyrje të komplekseve ku banojnë.
Në pamjet e siguruara nga Dosja.al shihet qartësisht sesi gropa e pallatit ka shembur edhe rrugën kryesore ku kalojnë makinat dhe kalimtarët. Asfalti është prishur ndërsa asnjë masë nuk është marrë, as nga shkaktuesi i dëmit dhe as nga autoritetet.
Janë ato që duhet të monitorojnë në çdo hap shkeljet e personave që marrin leje ndërtimi për ti zbatuar deri më një detyrimet që iu cakton ligji si të gjithë qytetarët e tjerë.
Pamjet janë të rënda, marrë parasysh edhe faktin që rruga është shembur në një nga zonat më të banuara të Tiranës dhe se vendi i dëmtuar, ka shumë pak fushëpamje, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve apo të drejtuesve të automjeteve që kalojnë në këtë rrugë gjatë natës kur edhe ndriçimi nuk është i garantuar.