Pronarët e lokaleve në Lungomare letër Ramës, i kërkojnë shtyrjen e orarit dhe lejimin e muzikës

Shpërndaje

Pas atyre në Kamëz, erdhi radha edhe e lokaleve në Vlorë. Bar-restorantet dhe lounge-t, në veçanti të Lungomares, i kanë dërguar një letër kryeministrit ku i kërkojnë që të lejojë aktivitetin pas orës 24:00 e po ashtu edhe muzikën.

“Lejoni ushtrimin e aktiviteteve muzikore për vendet dhe bizneset që i plotësojnë këto kushte të paktën deri në orën 24 dhe lejoni bizneset që të operojnë të paktën deri në orën 02:00”.

Në letër thuhet se sjellja e Policisë së Shtetit në shumë raste ka dhunuar verbalisht dhe psikologjikisht disa nga pronarët e bizneseve dhe ka vepruar në mënyrë të njëanshme dhe abuzive.

Sipas pronarëve të lokaleve, bizneset mbyllen në një orë, ku është kulmi i lëvizjes së qytetarëve. Ata kërkojnë shfuqizimin e aktit normativ që kufizon sipas tyre të drejtën kushtetuese për të ushtruar lirisht aktivitetin jetik për ta. Ata thonë se akti po i falimenton pasi nuk është reflektuar me ulje taksash apo subvencione.

“Nuk jemi vend konkurrues në rajon”, thonë ata në letër duke iu bazuar këtyre rregullave. Pronarët paralajmërojnë se do ta përshkallëzojnë protestën nëse nuk merret në konsideratë letra e tyre duke mbyllur biznesin dhe hequr nga puna personelin./tvklan.al