MaqedoniTop Lajme

TAV do të ndihmojë komunat me 17.5 milionë euro, Teuta Arifi ankohet se ka trashëguar shumë borxhe

Shpërndaje

Ndërtimi i rrjeteve për furnizim të ujit, për kanalizimin atmosferik dhe ujërat e zeza, rikonstruimi i rrugëve lokale, ndërtimi i çerdheve, rindërtimi i shkollave të mesme dhe fillore, rezervuarë për ujë, sisteme ujësjellës. Këto janë sfidat kryesore të kryetarëve të komunave në shekullin 21. Sërish, edhe këtë verë në shumë komuna nuk ka ujë të pijshëm në këto temperatura të larta dhe në kohë pandemie. Nuk kemi as infrastrukturë me të cilën mund të krenohemi. Sot, u nënshkruan marrëveshje të reja në kuadër të programit TAV.

“Konsideroj se erdhi koha kur duhet të bëjmë dallim mes mënyrës e të punuarit joekonomike dhe financimit të nevojave elementare për qytetarët tanë. Të mos harrojmë se ishin mbledhur borxhe, ndoshta jo të këtyre kryetarëve. Borxhe që janë grumbulluar para 20 vjetëve. Por, ka organe të tjera që duhet të merren me këtë”, tha Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Por, tani parashtrohet pyetja – nëse me mbulimin e këtyre borxheve nxitet edhe më shumë puna joekonomike e kryetarëve? Ja, për çka do t’i shfrytëzojnë mjetet:

“Konkretisht, komuna jonë Kisella Vodë aplikoi me projekt për kanalizim atmosferik në gjatësi prej 4 kilometrave dhe për rregullim të rrugëve të njëjta”, tha Filip Temellkovski, kryetar i Kisella Vodës.

“Ne jemi një nga komunat që kanë borxhe. Që në fillim trashëguam dy gjëra problematike – borxhin e komunës prej 8 milionë eurove dhe borxhin e shkollave të mesme prej 4 milionë euro shtesë. Deri në muajin gusht presim të shlyhen të gjitha borxhet e shkollave”, tha Teuta Arifi, kryetare e Tetovës.

“Ne këto mjete do t’i shfrytëzojmë për infrastrukturën rrugore, respektivisht për ujësjellës dhe kanalizim në kuadër të një prej projekteve kryesore që planifikojmë t’i finalizojmë. Bëhet fjalë për rrugën e avokatëve, projekt i cili për shumë vite nuk ishte realizuar”, tha Sasha Bogdanoviq, kryetar i Qendrës.

“Nga programi TAV, Makedonska Kamenica mori 5.3 milionë denarë për ndërtim të kanalizimit në zonën industriale, siç e dini, që të mund të licitojmë dhe të shesim tokë shtetërore, por edhe për t’i tërhequr investitorë. Obligimi i komunës është që t’i zgjidhë nevojat infrastrukturore”, u shpreh Sonja Stamenkova, kryetar e Makedonska Kamenicës.

Komunat në vend kanë marrë 180 milionë euro vetëm gjatë pushtetit aktual, kurse punojnë me humbje prej 10 milion eurove. Qeveria do të vazhdojë të investojë, sepse këtë e bëjnë për qytetarët, tha zëvendëskryeministri Bytyqi. Sipas tij, qytetarët nuk duhet të ndëshkohen për shkak të punës joekonomike të kryetarëve të mëparshëm të cilët në trashëgimi kanë lënë borxhe./TV21