ARSIMI, ÇKA NA ISHTE AJO?
“Në tavolinën ku unë qëndroj, kam mësuar një të vërtetë të madhe. Përgjigja për të gjitha problemet kombëtare, përgjigja për të gjitha problemet e botës, vërtitet për një fjalë të vetme. Ajo është arsimi” (Lyndon Johnson, ish kryetar i SHBA-ve)
Nga, Prof.Dr. Agim RUSHITI
Shkalla e arsimimit të një popullate të një vendi është indikatori ndër më kyç që determinon zhvillimin e gjithmbarshëm të një shteti dhe kombi. Ajo përcakton edhe tendencën e vet që të jetë edhe faktor relavant në krijimin e politikave më të gjëra edhe jashtë kufijve shtetëror.
Në kohën e zhvillimeve të theksuara teknologjike dhe globalizimit masiv, DITURIA dhe POTENCIALI INTELEKTUAL është resursi kryesor që determinon një vend. Arsimi cilësor në të gjitha nivelet është mekanizmi kryesor për tejkalimin e sfidave të botës postmoderne, botë me një të ardhme të pasigurt, e nënshtruar në kontinuitet një konkurrence të pamëshirshme, mjaft rriskante dhe po aq enigmatike. Në vitin 1993, Drucker theksoi: “Mjetet për prodhim më nuk janë kapital. Kapital nuk janë as resurset prodhuese, as forcat punuese, por DIJET”.
Në ditën e sotme, lufta për gjetjen e rrugëve për zhvillim teknologjik, arsimor, shkencor, e kulturor, përpjekjet për promovimin e vlerave që sjellin produktivitet dhe risi në procesin e punës, janë ata faktorë që diktojnë perspektivën e një vendi dhe shoqërisë në përgjithësi.
Në rrethana kur bota ballafaqohet me një trend të theksuar të zhvillimit të saj teknologjik, kur botëkuptimet mbi të ardhmen e këtij nënqielli rrënjësisht ndryshojnë, kur globalizimi politik dhe ai ekonomik janë evident, arsimi domosdoshmërisht vehet para aktit të rifreskimit dhe reformimit të tij, jo vetëm se në formën, por edhe në brendinë e saj, hapa këto që suksesshëm do të sfidonin situatat e reja.
Një ecejake në rrugë të tillë e arsimit në tërësi, nuk duhet të jetë i kushtëzuar nga vullneti i mirë i qarqeve të caktuara të pushtetit, partive politike apo strukturave që drejtojnë institucionet edukativo-arsimore. Duhet të jetë imperativ i kërkesave reale që korrespondojnë me kohën, arritjeve në shoqëri dhe tendencave bashkëkohore. Gjithashtu, arsimi duhet të marrë një pamje të re edhe nga shkaku i eksponimit gjithnjë e më të theksuar të proceseve që dalin nga ndikimi i theksuar i globalizimit jo vetëm se atij ekonomik, por edhe atij kulturor, fetar, gjuhësor, i transformimeve politike dhe i kërkesave të tregut të punës.
Realiteti faktik, për momentin, është shumë shqetësues. Çdo mëngjes që sjell dita e re, sjell me vete brengosje plotësuese për fatin dhe rrjedhën e proceseve arsimore në Republikën e Maqedonisë dhe të arsimit shqip në veçanti. Ballafaqohemi permanent me cilësi dhe kualitetit të ulët në arsim, mosrespektim të standardeve dhe kritereve arsimore, shfaqja të mospërgjegjësisë nga ana e faktorëve që e përbëjnë procesin arsimor ndaj misionit që kryejnë, degradim të vlerave humane që reflekton arsimi,…Kur kësaj i shtohen edhe raste gjithnjë e më të theksuara të amoralitetit, që tani më nuk janë raste vetëm raste aksidentale, vaj halli për ne.
Duke u nisur nga thëniet “Arsimimi vetëm, pa e pasur zemrën dhe shpirtin e pastër, është mëkati më i madh i trurit tënd“ (H. Hese) dhe “Arsimimi, pa e pasur zemrën dhe shpirtin e arsimuar është edhe kjo njëfarë shkollë me dituri, por pa ndërgjegje” (A.Shopenhauer), shtron domosdoshmërinë e një rezonimi “radikal”: Kur institucionet e arsimore në Republikën e Maqedonisë do të largohen përfundimisht nga kamxha e rezonimeve dhe ndikimeve që nuk kanë aspak të përbashkët me arsimin? Apo, kur çerdhet e diturisë, nga brendia e vet, do të flakin javashllëkun dhe kapadihllëkun në punë, si dhe joprofesionalizmin, politikën dhe politizimin e proceseve sipas tekeve të caktuara të individëve përbrenda vetë institucionit dhe jashtë saj? Apo, kur mësimdhënësit do të merren me realizimin e qëllimeve që iu janë shtruar para vetes dhe për të cilën paguhen, duke reflektuar të arritura që do i ketë lakmi bota arsimore, e jo të shteren duke “përqafuar” liderë politik, duke thithë pështymën e dorës së tyre? Apo, kur do fillojë profilizimi i mirëfilltë i bartësve të vërtetë, cilësor dhe produktiv i proceseve arsimore në vendin tonë?
Kjo i përket, jo vetëm se institucioneve edukativo-arsimore, por edhe institucioneve që janë kompetent të mbikëqyrin dhe të përgjigjen për mbarëvajtjen e punës në këto qendra arsimore.
Jemi dëshmitarë se institucionet arsimore të të gjitha niveleve, në periudha të caktuara, janë bërë arena për kusuritje dhe shfrenim të ambicieve të qarqeve, strukturave dhe individëve të caktuar, për interesa krejtësisht të kundërta me ato arsimore.
Një shqetësim i tillë më i ngjyrosur është prezent edhe në arsimin shqip. Nuk mbetet periudhë kohore më e gjatë se disa muaj e të mos plasohet ndonjë “bombë” informacion që ka të bëjë me çerdhet e tilla të akredituar për plasimin e diturisë ndër gjeneratat e reja.
Të gjithë e dimë se çfarë rritë ka pasur arsimi shqip në të gjitha nivelet, atij fillor, të mesëm dhe sidomos te ai i lartë. Nuk harrojmë në veçanti se si filloi të funksionojë Universiteti i Tetovës në 1994, për meritat e intelektualëve shqiptar, strukturave politike, shoqatave,… Të gjithëve na është e njohur periudha e pas 2001 dhe roli i partisë shqiptare në pushtet i asaj kohe, Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila solli zyrtarizimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës. Për këto momente të ndritshme, pa dyshim, janë të rezervuara vende në faqet e historisë së lavdishme të zhvillimit të kombit shqiptar ndër këto troje. Por, kjo nuk justifikon faktin se bartësit e caktuar të këtyre proceseve pozitive, për hapat e tyre të mëtutjeshme, nuk do të duhej të përgjigjen para popullit, të kritikohen publikisht dhe të japin llogari përgjegjësie.
Nga ana tjetër, vënia e institucioneve arsimore në këmbë të shëndosha të hapërimit të tyre, pa marrë parasysh se kush ishte më i meritueshmi për te, assesi nuk i jep të drejtë individëve, strukturave dhe qarqeve që, sa herë që i nevojitet diçka për të realizuar qëllimet e veta, t’i përdorë qendrat e tilla të diturisë për kusuritje të hesapeve.
Institucionet arsimore, Shkollat fillore, Shkollat e mesme, e sidomos Universitetet, nuk duhet të lejojnë të vendosin veten në pozicionin e shoqatave aksionare që çdo kush nga aksionarët të ketë të drejtë të kërkojë hisen e vet, në çdo kohë që ata dëshirojnë apo kanë nevojë të fillojnë ndonjë “aventurë” të re. Gjithashtu, sa herë që ndërrojnë strukturat politike në pushtet, po nga institucionet arsimore vinë në plan të parë eshalonë të reja të profesorëve, herë si zëdhënës të një politike të subjektit të caktuar politik, e herë si “xhara” që duhet të presë interesa brenda në institucionet arsimore (sipas kutit të ndonjë individi apo strukture të caktuar politike).
Jemi mërzitur e gërditur si popull nga deklaratat e tipit “Unë i akreditova programet e reja studimore në USHT” të dala nga goja e një ish ministri shqiptar që erë nuk kishte se çka donë të thotë arsimi në përgjithësi, e të mos flasim për arsimin e lartë. Janë ende rrëqethëse deklaratat e po të njëjtit ish ministër se në “USHT duhet të intervenohet….” ngase atje janë dhënë me qindra diploma fiktive universitare për “t’i kënaqur kërkesat e disa funksionarëve partiak”, deklaratë kjo që i dha një hije shumë të keqe përpjekjeve për rimëkëmbjen e arsimit të lartë shqip. Kjo deklaratë e dëmshme, e dhimbshme dhe ogurzeze, asnjëherë nuk u vërtetua e nuk u dëshmua, kurse personi i njëjtë nuk barti as një përgjegjësi, jo vetëm se penale, por as morale. Madje, u shpërblye edhe me postin e deputetit, më vonë u bë edhe një kalorës i një politike të re, e më në fund e hëngri dreqi.
Duhet gjithsesi të largohemi nga sjelljet e tilla të papërgjegjshme me pasoja shumë të mëdha. Qendrat arsimore janë tempuj të diturisë, e nuk janë skena teatrosh (amatorësh bulevardesk) ku lejohet të shfaqesh i veshur e i zhveshur, i merituar e i pamerituar, me vlerë e pa vlerë, qoftë audienca të jetë e ardhur edhe nga vetëm ndonjë mëhallë.
Është koha e fundit, me një unitet ndoshta më të madh se ai që na bashkoi në luftën e 2001, të gjitha strukturat, ato intelektuale, politike, joqeveritare, opozitare e çka jo tjetër, të bashkohen që, duke i vënë PIKË javashllëkut, mospërgjegjësisë dhe dembelizmit, të punojnë një platformë të bazuar mbi analiza, mbi shkencë e resurse, ku do të definonin rrugën në të cilën do të hapërojë arsimi shqip në të ardhmen. Të gjithë së bashku, të vëmë një gurë mbi kalanë e quajtur Institucion Arsimor Bashkëkohor, Cilësor dhe Evropian, Në të kundërtën, e ardhmja do na glabërojë edhe më fuqishëm se një armë e fuqishme bërthamore.
(Ky shkrim i autorit është publikuar në vitin 2014, por që nuk humb kuptimin as edhe sot, pas katër vitesh)