Nesër fillon regjistrimi! Regjistrues i vaksinuar për ata që do të insistojnë

Shpërndaje

Nesër fillon regjistrimi. Pas thuajse 20 viteve dhe pas një regjistrimi të dështuar, përfundimisht në vendin tonë do të fillojë ky operacion statistikor. Njeriu i parë i Entit për Statistikë, Apostoll Simovski siguron se gjithçka është gati për nisjen e regjistrimit sipas të gjitha protokolleve për siguri, ndërsa njëkohësisht i thirri qytetarët që t’i pranojnë regjistruesit në shtëpitë e tyre. Ai tha se dy e treta e regjistruesve e paraqitur janë të vaksinuar.

“Atje ku qytetarët do të insistojnë që të regjistrohen nga regjistrues i vaksinuar, kjo do të ndodh. Teknika dhe mënyra, varet nga ajo se ku dhe kur është kërkuar dhe ne do të sigurojmë këtë. Kuptohet nuk do të jetë në momentin e njëjtë, do të dakordohemi me atë amvisëri kur dhe në çfarë kohe u përshtatet që të shkojë personi i cili është i vaksinuar që t’i regjistrojë”, potencoi Apostoll Simovski – Drejtor i Entit Shtetëror për Statistikë.

Megjithatë si do t’ia bëhet me ata qytetarë që janë të infektuar ose në izolim? Simovski thotë se të gjitha informacionet do t’i marrin nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ministria e shëndetësisë na i dorëzon listat në bazë ditore se ku ka të infektuar dhe ku ka persona në izolim. Qëllimi ynë është që të presim nëse ka mundësi që të dalin këta persona nga izolimi dhe atëherë të realizohet regjistrimi dhe kjo do të jetë më e sigurtë edhe për vetë regjistruesin. Megjithatë nëse nuk ekzistojnë kushte për një gjë të tillë, atëherë kemi protokolle të veçanta se si të veprohet në regjistrimin”, shtoi drejtori i Entit Shtetëror për Statisitkë, Apostoll Simovski.

Se maksimalisht do të respektohen protokollet për realizim të sigurt të regjistrimit, siguron edhe zëvendësdrejtori Ilmi Selami.

Ministri i drejtësisë Bojan Mariçiq dje në emisionin “10 Minuta” në TV21 tha se me regjistrimin do të përfshihen edhe të gjithë qytetarë jo rezidentë.

“Për ne është e rëndësishme që të kemi pasqyrë reale dhe vlerësoj se nuk do të ketë ndonjë dallim të madh nga ajo që ishte më parë edhe te rezidentët edhe te jorezidentët. Megjithatë sido që të jetë duhet të kemi pasqyrë reale, ndërsa të drejtat e askujt nuk do të cenohen”, deklaroi Bojan Mariçiq – ministër i Drejtësisë.

Për herë të parë në këtë regjistrim, përveç grumbullimit të të dhënave drejtpërsëdrejti nga qytetarët, do të shfrytëzohen edhe të dhënat nga e ashtuquajtura baza para regjistrimit, ku me vendosjen e numrit amë të qytetarit automatikisht dalin të dhënat e qytetarit. Regjistrimi fillon nesër dhe do të zgjasë deri më 30 shtator. Paraprakisht, më 1 mars të këtij viti filloi edhe regjistrimi i diasporës që do të zgjasë deri në fund të këtij muaji./TV21