RajoniTop Lajme

Situata në veri të Kosovës/ Kuvendi mblidhet në seancë të jashtëzakonshme

Shpërndaje

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen të hënën në një seancë të rregullt në orën 10:00, ndërkohë që shefat e deputetëve të partive opozitare kanë kërkuar mbajtjen edhe të një seance të jashtëzakonshme në organin më të lartë legjislativ për situatën në veri, por data e së cilës nuk është caktuar ende.

Të njëjtit kanë thënë se çdo hap që merret nga institucionet vendore duhet të ruhet ligjshmëria në komunat në veri. As në mbledhjen e sotme nuk ka pasur konsensus që në seancën e ardhshme të vendoset për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Pas mbledhjes së kryesisë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka njoftuar se seanca e re plenare do të mbahet të hënën. Ai ka bërë të ditur që janë dakorduar me shefat e grupeve parlamentare për vendosjen e një seance të jashtëzakonshme për të diskutuar për situatën në veri.

“U vendos që të kemi një seancë të vazhdimit dhe të rregullt për të hënën. Ajo që dola sot para jush është po ashtu të ju njoftoj se edhe në Kryesi të Kuvendit e paraqita kërkesën tonë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për diskutimin në kuvend të gjendjes së krijuar në veri të Kosovës. E diskutuam bashkërisht me kolegët dhe u dakorduam që me shefat e grupeve parlamentare të diskutojmë për datën dhe kohën, pasi që ishte edhe mbështetja e tyre. Nuk ishte në takim kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, mirëpo u dakorduam që me shefat e grupeve parlamentare të jetë në diskutim kjo çështje paraprakisht”, ka theksuar ai.

Për këtë kërkesë të paraqitur në Kryesinë e Kuvendit, Tahiri ka thënë se janë dakorduar të gjithë shefat e grupeve parlamentare.

“Të gjitha partitë politike e shohin shumë saktë se gjendja e krijuar në veriun e Kosovës është serioze, është temë që tejkalon agjendat politike dhe të ngushta partiake, është temë nacionale që duhet të merret me seriozitet. Duhet të shohim kohën dhe momentin se kur të kemi këtë debat”, ka shtuar Tahiri.

Këtë e ka konfirmuar edhe shefi i GP-së së PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se partia e tij kërkon që të ruhet ligjshmëria e komunave në veri.

“Është e rëndësishme që një proces të tillë ta koordinojmë çdo herë me aleatin më të ngushtë që na ka ndihmuar gjithë këto vjet, në shtet ndërtim, në shpallje të pavarësisë, që janë SHBA. Është shumë e rëndësishme që çdo hap që ndërmarrim të ruajmë ligjshmërinë dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të lejojmë që kthehemi prapa në proces. Nuk duhet të lejojmë që të ri-grupohen strukturat paralele, nuk duhet të lejojmë që të vendosën barrikada, nuk duhet të lejojmë që të ketë një pa-dëgjueshmëri të qytetarëve dhe të asaj pjese të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

Më tej, ai ka bërë të ditur edhe kërkesën e grupit të partisë në mbledhjen e sotme të kryesisë.

“Një prej çështjeve që e kam ngritur si kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së është edhe shqetësimi që ka të bëjë me votimin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, e cila tashmë është një çështje që duhet ta vendosë Kryesia e Kuvendit dhe duhet të procedohet më tutje në seancën plenare për votim. Edhe kësaj here nuk e kemi pasur konsensusin që një çështje të tillë ta vendosim për seancën e radhës. Unë mendoj që një çështje të tillë, që është plotësimi i anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, nuk duhet të shtyhet pafundësisht. Ju e dini që tashmë Gjykata Kushtetuese funksionon në limitet e saj sa i përket kuorumit. Është e rëndësishme që ne si Kuvend i Kosovës të jemi të përgjegjshëm karshi këtij institucioni”, ka thënë Tahiri.

Ndryshe, sot është dita e dhjetë e protestave të serbëve në veri pas vendosjes së reciprocitetit për targat e Serbisë.

Top Channel