VMRO-DPMNE kërkon dorëheqje nga Carovska, ajo insiston se ka libra dhe tabletë për të gjithë nxënësit
Nuk ka libra për të gjithë nxënësit dhe aty ku ka apo ku shpërndahen janë të grisura dhe të vjetra, Carovska sakrifikon një brez tjetër fëmijësh, akuzojnë nga opozitarja VMRO-DPMNE. Nga kjo parti kërkojnë nga Ministrja e Arsimit Milla Carovska të japë dorëheqje, meqë siç shprehen, po e shkatërron arsimin.
“Viti shkollor në Maqedoni filloi me kaos si kurrë më parë në historinë e Maqedonisë. Është turp për fëmijët të mësojnë nga tekstet e vjetra të grisura të shtypura 6, 7 ose 8 vjet më parë nga qeveria e VMRO-DPMNE-së. Ministre Carovska, shtypni libra shkollorë që fëmijët të kenë nga ku të mësojnë. Ministre Carovska, me fiaskon tuaj, për herë të parë në historinë e Maqedonisë, certifikatat shpërndahen në shtator, jo në qershor. Ministre Carovska, jep dorëheqje! Mjaft me eksperimente”, tha Vlladimir Gjorçev nga VMRO-DPMNE.
Mirëpo Carovska nuk i pranon këto akuza. Nxënësit kanë edhe tabletë dhe libra shkollorë, mirëpo mësimi nuk do të thotë libër, shprehet ajo.
“Më duhet ta theksoj se mësimi nuk nënkupton libër dhe është shumë e rëndësishme që koncepti i ri ta ndryshojë paradigmën e mësimit. Kjo është ideja e konceptit të ri të mësimit. Mësojmë përmes hulumtimit, mësojmë përmes praktikës dhe diskutimit e analizës së përmbajtjeve të ndryshme që ndodhen në burime të ndryshme të informimit, me qëllim që atë që e mësojmë, nesër të dimë ta përdorim. Pikërisht për shkak të parimit të mësimit përshkrim nga libri në fletore kemi rezultatet më tragjike në “pizza”, “teams” dhe të ngjashme”, deklaroi Milla Carovska – ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Përndryshe, dje nisi viti shkollor, që ndryshe nga viti i kaluar mësimi po zhvillohet me prezencë fizike. Këtë vit nxënësit e klasave të para dhe të katërta përveç librave të shtypur do të mësojnë edhe prej librave digjitalë, pra në tabletë.