Vuçiq: Të tërhiqet vendimi për targat! Kurti: Vendimi nuk është provokim

Shpërndaje

Situata në veri të Kosovës edhe sot ka vazhduar të jetë e tensionuar, por nuk janë regjistruar tensione mes policisë dhe serbëve lokal të cilët po mbajnë të bllokuar rrugën drejt pikes kufitare, Jarinjë me Serbinë.

Forcat e Policisë së Kosovës kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës, pas protestave lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për masë reciprociteti për targat e veturave të regjistruara në Serbi, që hyjnë në Kosovë. Ministria e Punëve të Brendshme i ka bërë thirrje qytetarëve që ti shmangen lëvizjes drejtë pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak derisa disa media kanë raportuar për lëvizjen e forcave serbe drejt kufirit me Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një takim me ambasadorët e Shtetet e Bashkuar të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, tha se vendimi për targat e Serbisë nuk është provokim e as diskriminim.

Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Takimi i Kurtit me ambasadorët evropian erdhi pas një takimi të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me Këshillin e Sigurisë Kombëtare ku kërkoi nga Kosova të ndryshojë vendimin ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë.

Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse jo, ne do të marrim masa”, deklaroi Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Pavarësisht se paralajmëroi masa, ai tha se Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes dhe të “sigurisë së popullatës serbe në Kosovë”.

Vuçiq tha se Serbia do të kërkojë një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian nëse marrëveshja e Brukselit është e ligjshme ose jo dhe se kur do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të aplikojë masa të reciprocitetit, sa i përket targave të Serbisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bënë thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se të dy palët duhet të punojnë në krijimin e një atmosfere e cila do të ndihmonte lirinë e lëvizjes dhe uljes së tensioneve./alsat/