Besimi në Takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore

Shpërndaje

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, do të jetë pjesmarrës në Takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, ku për shkak të pandemisë edhe këtë herë do të organizohen online.

Në takimet që do të mbahan gjatë javës së ardhshme, ministri do t’i theksojë reformat dhe aktivitet kryesore lidhur me procesin për përforcim të konsolidimit fiskal, Planin për financim të rimëkëmbjes ekonomike dhe përshpejtimit të rritjes, decentralizimin fiskal, si dhe për bashkëpunimin dhe përkrahjen që kemi me këto institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare.

“Plani për qëndrueshmëri fiskale dhe përkrahje sa i përket rritjes ekonomike, orientohet në përmirësimin e arkëtimit të të hyrave buxhetore, përmes masave për zvogëlimin e ekonomisë gri dhe masave për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, pastaj uljen dhe ristrukturimin e shpenzimeve buxhetore përmes shkurtimit të shpenzimeve joprioritare dhe jothelbësore, përkrahjen më të madhe të sektorit privat dhe inovacioneve me qëllim të përforcimit të konkurrencës, komponentin social për përkrahje të kategorive më të ndjeshme të popullatës dhe rishikimin e metodologjive për transfere dhe subvencione, si dhe ndryshimet lidhur me burimet për financim të deficitit buxhetor, diversifikimin më të madh të burimeve për financim të deficitit buxhetor, financimin dhe realizimin e projekteve të caktuara përmes partneritetit publiko-privat dhe themelimin e Fondit zhvillimor për investime strategjike”, informojnë nga Ministria e Financave.

Një nga projektet kryesore prioritare për MF-në është edhe implementimi i sistemit IFMIS, me përkrahje të Bankës Botërore dhe BE-së. IFMIS është Sistem i integruar informativ për menaxhim me financat i cili do të sigurojë monitorim të integruar të të hyrave dhe shpenzimeve nga planifikimi i tyre deri te realizimi i tërsishëm, me ç’rast do të ndikojë në buxhetim dhe realizim më të mirë.

“Konsolidimi fiskal është një nga qëllimet e Planit për financim të rimëkëmbjes ekonomike dhe përshpejtim të rritjes për periudhën 2022-2026, që duhet të ndikojë edhe në drejtim të përshpejtimit dhe arritjes së normave mesatare të rritjes së BPV-së mbi 5% në nivel vjetor, si dhe rritje të investimeve. Në proces është edhe përgatitja e programit të ri për menaxhimin e financave publike, me ç’rast përkrahja teknike nga FMN-ja është e rëndësishme. Në periudhën e ardhshme prioritet do t’u jepet aktiviteteve, ndërsa do të sigurohet përkrahje teknike në lëminë e implementimit të rregullave fiskale dhe Këshillit fiskal nga Ligji i ri për buxhete, përforcimit të menaxhimit me investimet publike në MF, përforcimit të kapaciteteve për planifikim të likuiditetit, përforcimit të kapaciteteve për monitorim të MF-së në menaxhimin me rreziqet fiskale që kanë të bëjnë me ndërmarrjet publike, ndërmarrjet në pronësi shtetërore, partneritetin publiko-privat, si dhe kontrollin e harxhimeve”, thonë nga MF.

Vendi ka marrë përkrahje të konsiderueshme nga këto institucione ndërkombëtare edhe në ballafaqimin me krizën KOVID-19 dhe mundësinë për të reaguar në mënyrë të shpejtë ndaj nevojave për mbrojtje të shëndetit të popullatës, ruajtje të vendeve të punës dhe përkrahje të ekonomisë.

Në takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore do të kyçen guvernatorët e bankave qendrore, ministrat e financave, përfaqësuesit e sektorit privat, organizatat civile dhe akadamikët, që diskutojnë për çështjet me interes global, perspektivat ekonomike botërore, zhdukjen e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe efektivitetin e ndihmës. Temat kryesore të takimeve që do të mbahen nga data 11 deri në datë 17 tetor 2021 janë ekonomia globale, zhvillimi ndërkombëtar dhe sistemi financiar botëror.

Në këto takime merr pjesë edhe delegacioni i RMV-së, i udhëhequr nga ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska – Bezhoska. Janë planifikuar disa takime, duke përfshirë edhe nënkryetaren e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Ana Bjerde, drejtorin e FMN-së për Evropën, Alfred Kamer, drejtorin e Konstituencës së udhëhequr nga Mbretëria e Hollandës, Kun Davidse, drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Paul Hilbers, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të Bankës Botërore dhe FMN-së.