Jashari: KQZ-ja, PZAP-ja dhe Gjykata Supreme heshtën para manipulimeve
Kryetari në largim i Skenderajt, Bekim Jashari ka reaguar pasi sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetar komune që u mbajtën më 17 tetor.
Jashari thotë se KQZ-ja, PZAP-ja dhe Gjykata Supreme heshtën para manipulimeve, duke mos u marrë fare me pasojat e shkeljeve që sipas tij, edhe vet i kanë identifikuar.
“Blerja e votave, presioni i zyrtarëve të caktuar politik mbi votuesit dhe manipulimi i procesit zgjedhor përmes sistemit të “trenit bullgar” për këto institucione në fjalë ishte normale dhe ju e dini përse. Garën për kryetar të Skenderajt nuk e kam parë asnjëherë si luftë për pushtet por si një mundësi më shumë për të vazhduar t’i shërbej vendit tim, ashtu siç i kam shërbyer këto 4 vite duke dhënë maksimumin tim në realizimin e qindra projekteve të cilat kanë përmirësuar jetën e qytetarëve të Skenderajt.
Jam i lumtur që gjatë kësaj kohe realizuam një fushatë të pastër dhe shembull, duke kërkuar besimin qytetar me program zgjedhor, me projekte dhe plane konkrete, me prezantimin e qeverisjes sonë transparente 4 vjeçare dhe projektet e reformat e realizuara, duke i lënë kështu qytetarët të vendosin lirshëm, në menyrë demokratike”, shkroi Jashari në Facebook.
Ai shton se vullneti i qytetarëve u deformua dhe manipulua pa kursyer asgjë, asnjë mjet jo ligjor dhe jo etik, vetëm e vetëm për ta arritur qëllimin kundërkandidati i tij nga PDK, Fadil Nura.
“Pavarësisht presioneve, shantazheve, kërcënimeve e blerjes së votës ishin 9236 qytetarë (40% e atyre që kanë votuar me 17 tetor) të vendosur që qëndruan të pa lëkundur në rrugën e idealit tonë të përbashkët. Përkrahja e këtyre qytetarëve na mundësoi që në kuvendin komunal të Skenderajt të kemi 10 asambleistë të cilët do t’i përfaqësojnë denjësisht qytetarët dhe interesat e tyre të përgjithshme. Falënderime të përzemerta për të gjithë këta votues që na besuan e votuan me 17 tetor!”, shkroi Jashari.
Ai shton se do ta vazhdojë përkushtimin e tij maksimal për t’i shërbyer vendit të tij.
“Përkrahja e qytetarëve ishte dhe mbetet shumë më e madhe sesa rezultati i këtyre zgjedhjeve të manipuluara dhe pa legjitimitet. Përkushtimi im maksimal për t’i shërbyer vendit tim dhe qytetarëve nuk do të ndalet asnjëherë, ai do të vazhdojë deri në frymen e fundit, në jetësim të idealit tonë shekullor dhe amanetit të dëshmorëve e martirëve të Lirisë. Përherë i juaji Bekim Hamëz Jashari!”.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 17 tetorit, kandidati i PDK-së, Fadil Nura, doli i pari për nga numri i votave, duke e fituar komunën e Skenderajt pa balotazh.