Jashari: Lavdi Martirëve e Dëshmorëve të Rezallës!

Shpërndaje

Me dhimbje e krenari, sot 22 vite pas luftës, me një ceremoni ushtarake, me prezencë të qindra qytetarëve, rivarrosëm 9 martirët e masakrës së Rezallës, të cilët nga sot pushojnë të qetë në tokën për të cilën dhanë më të shtrenjtën jetë, për t’i bërë roje vendit dhe historisë sonë të lavdishme.

Këto masakra, këta arkivole dhe këto komplekse memoriale janë arkiva e cila argumenton vazhdimisht dhe në çdo kohë se kush ishin kriminelët dhe vrasësit, në këtë luftë të pabarabartë dhe të imponuar.

Sot Kosova jonë, fëmijët dhe të rinjtë jetojnë të lirë, ëndërrojnë e punojnë falë gjakut të derdhur të dëshmorëve e martirëve të Lirisë, të cilët i dolën zot atdheut dhe me gjakun e tyre u bënë themel i lirisë dhe Pavarësisë që sot e gëzojmë.

Të rënët në altarin e Lirisë sollën Lirinë e Pavarësinë, Ne jetësojmë amanetin e tyre vetëm duke zhvilluar shtetin.

Sot në këtë ceremoni nderova me mirënjohje Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prof. Dr. Arsim Gërxhaliu, drejtor për shumë vite i këtij instituti, për kontributin e jashtëzakonshëm, dhënë në identifikimin e mbetjeve mortore të dëshmorëve e martirëve të Lirisë, të rënë në luftën e fundit çlirimtare 1998-1999, me theks të veçantë në ri-varrimin e dëshmorëve nga Polaci dhe fshatrat tjera, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë.

Lavdi Martirëve e Dëshmorëve të Rezallës!

Lavdi gjithë Martirëve dhe Dëshmorëve të Kombit!