KSHZ rikthen vendimin për vulë në fletëvotimet

Shpërndaje

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve obligon të gjitha këshillat zgjedhor që në rrethin e dytë të zgjedhjeve të vulosin çdo fletëvotim që do t’u jepet qytetarëve për të votuar. Vendimi erdhi pasi një ditë më parë KSHZ ndryshoi udhëzuesin duke hequr vulat. Fuqizimi i vendimit të vjetër erdhi pas reagimeve të shumta në opinion.

“Duke pasur parasysh të gjitha reagimet e opinionit, KShZ shfuqizon ndryshimin e udhëzuesit për realizimin e nenit 110 të kodit zgjedhor, gjegjësisht për fletëvotime të vlefshme dhe të pavlefshme, me ç’rast vë në fuqi udhëzuesin paraprak. Theksojmë se këshillat zgjedhor do të duhet të respektojnë me përpikëri dispozitën e nenit 109, paragrafi 2 nga kodi zgjedhor dhe patjetër të venë vulë në fletëvotim, në vendin e caktuar.”,- tha kryetari i KShZ–së, Aleksandar Dashtevski.

Kryetari, Aleksandar Dashtevski, thotë se vendimi për heqjen e vulave doli pas vendimit të gjykatës administrative, në të cilin midis tjerash thuhet se e patolerueshme është që qytetarët të cilët kanë votuar në fletëvotime pa vula si pasojë e lëshimeve të anëtarëve të këshillave zgjedhor, të njëjtat të vlerësohen si të pavlefshme.

“Gjykata administrative ishte ajo që fletëvotimet pa vula i shpalli si të vlefshme, e jo KShZ; përkundrazi KSHZ kërkoi nga anëtarët e këshillave zgjedhorë që patjetër të vulosin fletëvotimet.”,- u shpreh kryetari i KShZ–së, Aleksandar Dashtevski.

Nga KShZ thonë se çdo lëshim i nenit 109, i cili obligon anëtarët e Këshillave Zgjedhor të vulosin fletëvotimet, do të trajtohet penalisht.