Radevi takon bullgarët nga RMV-ja, paralajmëron politikë të re ndaj Shkupit
Dhjetëra shtetas të Maqedonisë së Veriut që deklarohen si bullgarë etnikë sot u pritën nga Presidenti bullgar Rumen Radev, të cilit iu ankuan se jetojnë me probleme në vend dhe janë objekt i diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes. Radev theksoi se janë të kota shpresat në Bruksel se pas zgjedhjes së Qeverisë dhe Parlamentit të ri në Sofje do të zhbllokohen negociatat aderuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në, derisa nuk zgjidhen problemet e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.
Disa përfaqësues të shoqatave dhe mediave të bullgarëve ose individëve në vend, që deklarohen si bullgarë etnikë, sot në kabinetin e Presidentit Rumen Radev në Sofje kanë shprehur një sërë ankesa për diskriminimin që e përjetojnë në vend.
“Është shumë e vështirë të bisedosh me një fëmijë të klasës së parë ose të pestë, i cili do të kthehet në shtëpi dhe do të sqarojë se në shkollë popullin e tij e quajnë tatar-mongol, fashist, okupator dhe ndërkohë ky fëmijë e di se është bullgar,” tha Petar Kolev.
“Ne kërkojmë që të hapen dosjet e UDB-së.Të shohim kush janë ndezësit e popullit tonë. Ta shohim kush luan me fatin e njerëzve tanë. Ta shohim të vërtetën,” deklaroi Lupço Georgievski.
“Koha për ne nuk erdhi asnjëherë. Është tragjike që për ne vjen koha vetëm në kohë lufte. Atëherë jemi të nevojshëm, por tani tashmë ka ardhur koha,” theksoi Vladimir Perev.
Sipas Presidentit Radev janë të kota shpresat në Bruksel se negociatat aderuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në do të zhbllokohen pasi në Sofje, pas zgjedhjeve më 14 nëntor, do të formohen Qeveri dhe Parlament i ri. Është thelbësore zgjidhja e problemeve të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, deklaroi ai.
“Jo, nuk do të zhbllokohet pasi kjo është çështje fundamentale që nuk varet nga fakti cila qeveri dhe cili parlament do të jetë. Çështje fundamentale për vlerat evropiane, në bazën e BE-së. Derisa çështja me të drejtat e njeriut dhe mosdiskriminimi nuk do të zgjidhen, unë nuk shoh si do të hapet dera për negociata për anëtarësim,” ka vlerësuar presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
Autoritetet në Maqedoninë e Veriut disa herë kane shprehur gatishmëri që bullgarët në Maqedoninë e Veriut të jenë të perfshirë ne Kushtetutë si bashkesitë tjera etnike, por pasi të fillojnë negociatat aderuese me BE-në.