Kurti për masakrën e Poklekut dhe Çikatovës: Ende janë të njoma plagët nga gjenocidi i Serbisë

Shpërndaje

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në 23 vjetorin e masakrës së Poklekut dhe Çikatovës së vjetër të Drenasit ka thënë se ende janë të njoma plagët nga gjenocidi i Serbisë.

“Në Paklek të Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër të Drenicës, të njoma janë plagët nga gjenocidi i Serbisë. 23 vjet më parë forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe, vranë dhe masakruan 77 shqiptarë civilë të paarmatosur. Midis tyre pesë foshnja, nga gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Për shtetin serb që po zbatonte planin e gjenocidit ndaj shqiptarëve nuk kishte rëndësi mosha. Pasi i vranë, trupat e viktimave të Masakrës së Paklekut i dogjën bashkë me shtëpitë. Disa i dogjën dy herë e disa i hodhën në puse. Ndërsa trupat e viktimave të Masakrës së Çikatovës i dërguan në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi. Ishin përpjekje të forcave të armatosura serbe për të zhdukur gjurmët e krimit të Serbisë në Kosovë. Por këto krime nuk mund të zhduken. E as të harrohen. Mbeten dëshmi radhët e varreve dhe dhimbja në shpirtra”, ka shkruar kryeministri në Facebook.