Shqipëria pritet me fishkëllima në garën e boksit në Beograd

Shpërndaje

Kampionati Botëror i Boksit u hap zyrtarisht të dielën, më 24 tetor, në Beograd dhe ceremonia u përcoll me fishkëllima, me rastin e parakalimit të sportistëve nga Shqipëria.

Sportistët nga Kosova nuk po marrin pjesë, duke qenë se autoritetet e Serbisë nuk kanë lejuar hyrjen e tyre me simbole shtetërore të Kosovës.

Në fakt, Federata e Boksit të Shqipërisë kishte paralajmëruar se do të tërhiqej nga gara për shkak të këtij vendimi të Serbisë, por kjo gjë nuk ka ndodhur, për shkak të, siç thuhet, “presioneve nga ana e Qeverisë së Shqipërisë dhe Federatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA)”.

“Na është thënë se në rast të mospjesëmarrjes do të sanksionohemi me dhjetë vjet mospjesëmarrje në çdo aktivitet tjetër ndërkombëtar të AIBA-s”, tha për Radion Evropa e Lirë, kapiteni i ekipit të Federatës së Boksit të Shqipërisë, Nelson Hysa.

Ai përshkroi edhe atmosferën gjatë parakalimit të sportistëve nga Shqipëria në ceremoninë solemne.

“Normalisht, këtu(Beograd) jemi pa dëshirën tonë, kemi presion të vazhdueshëm. Kur dola me flamur të Shqipërisë, kishte brohoritje, fishkëllime, gjuajtje. Në hotel ka qëndruar Policia e Serbisë për shkak të sigurisë sonë”, tha Hysa.