Sveçla: E çuditshme se si Enver Sekiraqa lirohet dy herë pak para zgjedhjeve

Shpërndaje

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur të çuditshëm vendimin për lirim nga paraburgimi të të akuzuarit Enver Sekiraqa pak para zgjedhjeve.

Sekiraqa, i akuzuar për nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza, u lirua nga paraburgimi. Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se masa atij i është zëvendësuar me arrest shtëpiak. Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim, pasi që Gjykata e shpalli atë fajtor për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza, vendim ky që u kthye në rigjykim. Riza ishte vrarë në vitin 2007 në Prishtinë.

“E çuditshme se si lirohet ky person dy herë një apo dy ditë para zgjedhjeve. S’po e zgjas sepse duhet analizuar”, ka thënë Sveçla të premten në KTV.

Ai ka thënë se fitorja e Vetëvendosjes në shkurt ka sjellë ndryshim në qeverisje, por sipas tij, duhet të ketë ndryshime në çdo segment.