Asnjëri nuk pajtohet me partinë “LEVICA”! Sela: Nuk kam kontakt me Apasievin

Shpërndaje

Qëndrimet e partisë e Majta pothuajse asnjëherë nuk janë përputhur me qëndrimet e partive shqiptare. Kjo parti tani është pjese e shumicës së re të paralajmëruar nga Mickoski, ndërsa mbetet dilemë nëse e Majta e Apasievit do të jetë edhe pjesë e Qeverisë. Por cilat janë qëndrimet e partive shqiptare ndaj partisë e Majta.

“Unë po ju pyes çfarë përfaqëson Levica, a pajtoheni me to? Aspak nuk pajtohem. Pra nuk pajtoheni me atë çfarë përfaqëson? Po unë çfarë po them. Po kjo ishte pyetja zotri Sela. Aspak nuk pajtohem. Unë nuk pajtohem me to, por në qoftë se më pyet ti mua… Por nuk po e thoni a keni diçka kundër ose jo. E thash more as nuk diskutohet ajo gjë, unë e thash se aspak nuk pajtohemi me atë gjë, as nuk diskutohen”, deklaroi kryetari i ASH-së, Ziadin Sela (29.10.2021).

Sela shtoi se asnjëherë nuk është ulur dhe nuk ka pasur kontakte me Levicën.

“Në nivel lokal nuk bëhet, po në nivel qendror? Unë kurrë nuk kam pasur kontakte me kryetarin e Levicës, ose të ulem dhe të bisedojë për ndonjë temë. Zoti Mickoski? Natyrisht me zotin Mickoski kontaktet që i kam pas kanë qenë publike. Edhe kur e shpallëm bashkëounimin por edhe gjatë fushatës kemi pasur një takim të radhës”, shtoi Sela.

Njëjtë edhe Arjanit Hoxha i Lëvizjes Besa para dy javësh është shprehur kundër politikave të Apasievit, të cilat i quajti anti-amerikane dhe anti-shqiptare.

“Unë e them tash për herë te parë se shumicë të re parlamentare dhe me vota qe varen nga një parti siç është Levica e cila në programin e saj taksativisht ka qasja anti-amerikane, anti-shqiptare, ne nuk mund të hyjmë që të bisedojmë dhe nuk mund të lejojmë që një qeverisje e tillë të varet nga një parti politike e cila është distruktive dhe e cila e dimë se në çfarë kahje do ta shpjerë shtetin”, potencoi Arjanit Hoxha – sekretar i Lëvizjes Besa (22.10.2021).

Ndonëse Afrim Gashi ishte i ulur në atë tavolinë, megjithatë as politikat e Alternativës nuk përshtaten me ato të së Majtës. Madje edhe pasi u nënshkruan për rrëzimin e Qeverisë, një deputet i cili deshi të mbetet anonim, tha për TV21 se është mashtruar, sepse nuk e ka ditur se pjesë e kësaj iniciative do të jetë edhe Apasiev.