Azem Sadiku: Më shiti Menduh Thaçi, punoi kundër meje në rrethin e dytë zgjedhor

Shpërndaje

Kryetari i sapo zgjedhur i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku për mediat tha se ai ka garuar PDSH, por në rrethin e dytë ka pasur, siç thotë ai, tradhëti nga kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi.

“Unë deri në fund kam qenë PDSH dhe si kandidat i PDSH-së i fitova zgjedhjet me emblemën e PDSH-së, por fatkeqësisht pas rrethit të parë ku unë fitova bindshëm me 706 diferencë, kryetari i PDSH-së më shiti shumë lirë. Unë se kam çmimin aq. Ata kishin përgatit një kurth bashkë me BDI-në që vullnetin e popullit në Studeniçan ta ndryshojnë”, tha Sadiku.

Ai tha se kundër tij në këto zgjedhje lokale është angazhuar e gjithë aparatura shtetërore duke përfshirë këtu Qeverinë, policinë dhe siç thotë ai, pare të pista duke shpërndarë para me vetura të policisë.

“Blerim Bexheti, Izet Mexhiti, Arif Asani vazhdimisht kanë qenë nëpër katunde në rrethin e dytë dhe edhe pse rritën votat, me mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët dhe nga qytetarët e Studeniçanit unë arrita të fitoj zgjedhjet, sepse kështu është vullneti i popullit dhe vullnetin e tij nuk ka kush e mposhtë”, u shpreh Sadiku.

Sadiku mes tjerash tha se ai ka qenë ndër të vetmit i cili ka qenë besnik i ideologjisë së PDSH-së, ndërsa vendimin për largimin nga partia e ka marrë personalisht vet.

“Vendimin për largimin e kam marrë personalisht vet, kurse strukturat e mia në Karshiakë, mbështetësit e mi që kanë qenë beton, më kanë autorizuar që të bisedoj me Aleancën për Shqiptarët dhe ky është vendim i gjithë strukturave të mia”, tha Sadiku.

Në fund ai u shpreh se kreu i ASH-së dhe sekretari i Përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari që nga dita e parë e përfundimit të zgjedhjeve kanë dalë publikisht në mbështetje të tij dhe se gjithë aktivistët e ASH-së kanë qenë bashkërisht në shtab zgjedhor të Azem Sadikut./Telegrafi/