Rajoni

Bislimi jep detaje nga dialogu i sotëm në Bruksel

Shpërndaje

Sot në kuadër të raundit të dialogut Kosovë-Serbi janë mbajtur në Bruksel takime të ndara bilaterale në nivel kryenegociatorësh me Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në takimin me Lajçak diskutoi rreth gjendjes së zbatimit të dakordimeve të arritura në kuadër të marrëveshjeve ekzistuese, çështjen e të pagjeturve, takimet e nëngrupeve punuese dhe pranimin e mbetjeve mortore të viktimave të luftës të gjetura në Kizhevak të Serbisë.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Delegacioni i Kosovës ngriti shqetësim të madh për rastin e fundit, kur Serbia si organizatore e botërorit të boksit, ka shkelur të drejtën e sportistëve dhe të Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të Boksit, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit.

Ndalesa e bërë ekipit përfaqësues të boksit për të marrë pjesë në botërorin e boksit në Beograd, nga delegacioni kosovar u theksua si veprim i palës serbe që është plotësisht në kundërshtim me frymën e lëvizjes së lirë, që promovohet përmes marrëveshjes së Brukselit në raport me Serbinë.

Gjithashtu, shqetësim tjetër i ngritur janë pengesat e shkaktuara nga autoritetet serbe në transferin e mjeteve për Luginë e Preshevës.

Nga pala kosovare u kërkua facilitim shtesë nga BE-ja, veçanërisht duke pasur parasysh domosdoshmërinë e një zgjidhje të qëndrueshme afatgjatë, meqenëse nga Ministria e Financave dhe Transfereve të Kosovës janë planifikuar dy milionë euro për Luginën e Preshevës në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Ato kanë qenë takime bilaterale me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, dhe ekipin e tij.

Takimet në Bruksel pritet që të vazhdojnë edhe nesër./21Media