Detaje për vjedhjen e 20 rigave dhe 120 kartelave grafike për kriptovaluta në Çabër

Shpërndaje

Hajnat kanë vjedhur 20 makina që prodhojnë kriptovaluta dhe 120 kartela grafike në një shtëpi në Çabër të Zubin Potokut.

Rasti po hetohet që nga e premtja nga policia, por që ende nuk është arrestuar askush. Teksa pronarët e pajisjeve nuk pranuan të flasin e të tregojnë se sa janë dëmtuar.

Por njohësi i kriptovalutave, Valton Tahiri, tregon se sa mund të vlejnë ato.

“4GB është çmimi 250 euro, sipas modelit të fundit 12GB cmimi shkon deri dy mijë euro. Rigat çmimi më i ulët është 500, kurse më i larti shkon deri në 80 mijë euro”, thotë ai, njofton Klan Kosova.

Ky thotë se nuk është vështirë të merren pajisjet, pasi janë të lidhura thjeshtë në rrymë.

“Nuk është zor për shkak se vetëm konektori i ethernetit mjafton për me u diskonektu, edhe heket”, shton Tahiri.

Varësisht nga llojet e rigave e kartelave grafike, edhe fitimi ditor varion nga 1 deri 40 euro në ditë. Ndërsa të njëjtat mund të harxhojnë nga 300 deri në 3000 vat rrymë.

Për këtë arsye, fshati i vetëm shqiptar në këtë komunë veriore, është parajsë për këtë veprimtari.

Meqenëse Çabra është fshat në të cilin ende nuk faturohet energjia elektrike, banorë të këtushëm na konfirmuan se ka njerëz që vijnë nga e gjithë Kosova për të marrë shtëpi me qera e ku i lënë pajisjes e tyre për prodhim të kriptovalutave.

Prodhimi i monedhave virtuale është një nga sfidat më të mëdha për shtetin, aktualisht, për shkak të shpenzimit enorm të rrymës në komunat veriore.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës është duke punuar edhe në hartimin e ligjit për kriptovalutat, por që ende është në fazat e hershme.