BotaTop Lajme

Ëndrra e një studenteje afgane që do të studiojë mjekësinë në Turqi, t’i shërbejë vendit të saj në të ardhmen

Shpërndaje

Selgey Ismailhil, e cila kishte fituar vendin e parë në provimin pranues universitar në Afganistan, deklaroi se dëshiron të kthehet në vendin e saj pas përfundimit të shkollimit në Turqi dhe të shërbejë veçanërisht në fushën e mjekësisë.

Ismailhil për Anadolu Agency (AA) shpalosi mendimet e saj për studentet femra në vendin e saj dhe planet e saj për të ardhmen.

Ismailhil, e cila erdhi në Stamboll rreth dhjetë ditë më parë për të vazhduar arsimin e lartë në Turqi me mbështetjen e Kryesisë së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), do të studiojë në Fakultetin e Mjekësisë Cerrahpaşa në Universitetin e Stambollit.

Duke thënë se është e lumtur që studion në Turqi, Ismailhil tha: “Unë u pranova në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Stambollit Cerrahpaşa me një bursë nga shteti turk. Jam shumë e lumtur që jam këtu sepse dyert e universiteteve afgane janë të mbyllura për gratë e vendit tim. Shkollimin do ta vazhdoj në Turqi”.

Ismailhil tregon se ajo ka lindur në rrethin Alingar të provincës Lagman dhe se humbi babanë kur ishte gjashtëvjeçe dhe erdhi në Kabul me familjen e saj teksa ishte në shkollën fillore.

“Me mbështetjen e familjes sime kam studiuar në shkollën e mesme ‘Muhammed Pamir Ahbar’ në Kabul. Kushtet tona arsimore nuk ishin të mira. Nuk ishte e lehtë për vajzat të shkonin në shkollë. Shkova në një kurs special për t’u përgatitur për provimin pranues në universitet. Rezultatet e provimit pranues në universitet u shpallën gjatë procesit të shumë ngjarjeve që shkaktuan ankthin e të gjithëve në vendin tonë”, tregon Ismailhil.

Ajo shpreson që dyert e universiteteve në Afganistan të hapen për studentet femra, por kjo, siç thotë ajo, nuk ka ndodhur deri më tani.

“Shpresoj që të hiqen barrierat para shkollimit të nxënëseve dhe ato të vazhdojnë shkollimin. Edhe vajzat duhet të shkojnë në universitete dhe të vazhdojnë arsimin e lartë”, thotë Ismailhil.

Duke thënë se ajo e kupton se çdo qeveri e re ka prioritetet dhe projektet e veta që dëshiron t’i zbatojë, Ismailhil tha: “Zyrtarët talebanë premtuan të rihapin institucionet arsimore. Ne duam që gratë afgane të lejohen të kthehen në shkollë sa më shpejt të jetë e mundur. Ky problem duhet të zgjidhet sa më shpejt që të mos ketë shqetësime për krizë kulturore në vend”.

– “Nëse gratë privohen nga arsimi, 50 për qind e shoqërisë paralizohet”

Siç thotë Ismailhil, gjysma e shoqërisë afgane janë gra dhe nëse ato privohen nga arsimi, atëherë kjo gjysmë do të paralizohej.

“Nëse gratë privohen nga arsimi, 50 për qind e shoqërisë do të paralizohet. Gratë janë po aq të talentuara sa burrat. Prandaj, arsimimi i grave është shumë i rëndësishëm për një shoqëri dhe vend. Gratë mund të luajnë një rol aktiv në rindërtimin dhe zhvillimin e vendit. Talenti i grave nuk është më i vogël se i burrave”, thekson ajo.

Ismailhil dëshiron të kthehet në vendin e saj në të ardhmen dhe të shërbejë veçanërisht në fushën e mjekësisë.

“Ne kemi nevojë për njerëz të arsimuar. Nuk ka gjë të tillë si ndërkufitare për mjekët. Prandaj, unë dua t’i shërbej gjithë njerëzimit. Vendi im ka kaluar kohë shumë të vështira. Ne kemi nevojë për personel me përvojë dhe të trajnuar. Personat që studiojnë jashtë, qofshin meshkuj apo femra, duhet të kthehen në vend në fund të shkollimit dhe të ndihmojnë qytetarët e tyre”, shprehet studentja afgane.

Lidhur me zgjedhjen e saj të Turqisë në jetën e saj të ardhshme arsimore, Ismailhil deklaron: “Turqia është një vend i bukur për të cilin jam e interesuar. Është edhe një vend musliman dhe më janë dhënë mundësi për bursa. Turqia është një nga vendet lidere në botë në fushën e mjekësisë. Të gjitha këto ishin efektive në zgjedhjen time të Turqisë”.

Selgey Ismailhil lindi në vitin 2001 në fshatin Shegey Kale të provincës Lagman të Afganistanit si fëmija i 13-të i një familjeje me 14 fëmijë. Duke humbur të atin në moshën gjashtëvjeçare, Ismailhil u diplomua në shkollën e mesme “Muhammed Pamir Ahbar” në Kabul. Ajo më pas u regjistrua në Departamentin në Gjuhën Angleze të Fakultetit të Mjekësisë Cerrahpaşa me Bursën e Arritjeve të Shquara nga YTB.