Ilievski fitoi me votat e SHQIPTARËVE! Enver Pajaziti për humbjen e Bërvenicës

Shpërndaje

I lindur në vitin 1962 në Çellopek të Komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti, nga viti 2009 e deri më 31 tetor të këtij viti ishte kryetar i Komunës së Bërvenicës. Për 12 vite kishte përkrahje edhe nga subjektet politike dhe kishte drejtuar këtë komunë rurale ku kishte realizuar edhe shumë projekte. Por, në zgjedhjet e së dielës, në raundin e dytë karshi kandidatit të VMRO-së, Jovica Ilievski, për 36 vota pajaziti nuk arriti të rizgjidhet për të katërtën herë në krye të kësaj komune. Ai ndjehet i tradhtuar nga partitë politike shqiptare që, edhe pse publikisht e përkrahën, por thotë se prapa shpine punuan që ai të mos jetë më kryetar.

“Kjo është shokuese jo vetëm për mua, por edhe për qytetarët e Bërvenicës, flas për qytetarët e ndershëm që janë shumicë dhe e dhanë provimin, por ne humbën prej tradhtarëve, dhe tradhtarë ka patur gjithmonë dhe ende ka. Unë këtë e them me shumë përgjegjësi, sepse ky ishte një bojkotim i fshehtë dhe kemi patur një ndjenjë se ndodh diçka, por jo në këtë formë. Këto kanë qenë pazarllëqe politike për të marrë vota atje ku kanë pasur më shumë interese në komunat më të mëdha, por ja që fati i mirë që popullata nuk i dëgjoi, por i dëgjuan ata që ishin bashkëpunëtorë të ngushtë, aleat të subjekteve politike. Disa e bënë me urdhër, disa për inat, disa për para. Kemi edhe emra konkret se kush dhe çka ka bërë dhe këtë do ta lëmë në histori, sepse neve sot vetëm mund të merremi me akuza, kush më shumë e kush më pak kishte faj”, tha Pajaziti. Ai është shprehur se partitë publikisht kishin qëndrim përkrahës, por prapa shpine kanë punuar kundër tij.

“Ne jemi munduar, si kandidat i pavarur të kemi kontakte me të gjitha subjektet politike dhe kjo ka qenë në formë vetëm deklarative dhe jo në atë formë siç jemi marrë vesh. Marrëveshja ka qenë se kush ka një votë më shumë, do të përkrahet dhe do të shkohet në Shtabin e tjetrit pas zgjedhjeve për të bërë fushatë bashkërisht. Ka patur deklarata publike për mbështetje, por ka patur edhe deklarata të fshehta kundër kësaj mbështetje. Unë falënderoj qytetarët dhe ju them se ata nuk kanë humbur, por kanë humbur ata që e bënë këtë akt makabër. Kjo ishte shumë e dhimbshme sidomos për mërgimtarët që erdhën, votuan dhe u larguan me lot në sy. Pas asaj mbështetje që kisha në raundin e parë, ishte tepër e rëndë, sepse në raundin e dytë kundërkandidati fitoi edhe me mbështetje të shqiptarëve… këtë e them me përgjegjësi se ai fitoi pastër me votat e shqiptarëve”, deklaroi Pajaziti. (koha.mk)