Gashi: Nuk futemi në Qeveri nëse na shohin vetëm si vota, duam ta ndihmojmë shtetin të dalë nga ky ngërç

Shpërndaje

Nuk do të thoja se Alternativa është bërë faktor politik në Maqedoninë e Veriut. Së bashku me katër deputetët tanë, nga formimi i kësaj shumice parlamentare, ne jemi një aktor i rëndësishëm në skenën politike. Gjithsesi, roli ynë është bërë më i rëndësishëm me ngjarjet e fundit, kur numrat nuk mundësuan shumicë të re, as funksionim normal të Kuvendit, e as zgjedhje të reja parlamentare.

Kështu shprehet në intervistë për gazetën “Politika”, lideri i Alternativës, Afrim Gashi.

Ai thotë se nuk është i kënaqur nga kjo pozitë, sepse ishin dhe ende janë të përkushtuar në aktivitetet opozitare, me sjellje të qartë drejt shumicës parlamentare dhe Qeverisë.

“Këtë e dëshmoi dhe përkushtimi ynë për ngritjen e iniciativës për votimin e mosbesimit të Qeverisë. Gjithsesi, mospasja e njëzërit të deputetëve e dërgoi vendin në krizë edhe më të thellë politike, kur po flitet për mundësi për fillim të negociatave për anëtarësim në BE”, theksoi Gashi.

Për negociatat për hyrje në Qeveri, lideri i Alternativës thotë se nëse LSDM dhe BDI duan vetëm katër deputetët dhe votat e tyre dhe nuk kanë përcaktime programe dhe nëse nuk janë të gatshëm të vendosin barazi mes aktorëve politik në pushtet, atëherë ato nuk kanë interes të hyjnë në Qeveri.

“Për këtë unë nuk mund të prejudikoj rezultatin. Dua të theksoj se po negociojmë me kryeministrin aktual dhe atë të ardhshëm, dhe jo me partitë tjera të kyçura në këtë qeveri”, theksoi Gashi.

Ne gjithsesi se udhëhiqemi nga pritshmëritë tona, interesat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut si dhe interesat shtetëroer të cilat janë të lidhura ngushtë me qëllimet tona partiake dhe kombëtare.

“Nëse në negociatat shohim se Zaev me të vërtetë ka dëshirë të shpëtojë shtetin nga ky ngërç, do të përpiqemi t’i ndhmojmë. Thellë jemi të interesuar për vazhdimin e kursit euroatlantik të vendit, për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë dhe për stabilitetin ekonomik e politik”, thotë Afrim Gashi.