Kurti e uron Biden në përvjetorin e zgjedhjes president, fitoren e tij e ndërlidh me atë të VV-së!

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti ka uruar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për fitoren e zgjedhjeve presidenciale të mbajtura sot një vit.

“3 nëntor 2020 ishte një ditë historike jo vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por për të gjithë botën. Amerikanët votuan për ndryshim. Qytetarët e ShBA-së, aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, zgjodhën Joe Biden si presidentin e tyre të 46-të. Sigurisht, z. Biden, edhe atëherë, nuk ka qenë i panjohur për ne: për dekada me radhë, si senator e pastaj si zëvendëspresident, Joe Biden ka qenë ndër avokuesit më të zëshëm dhe më të zellshëm për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, e sidomos të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit të Millosheviqit. Është fat i mirë i Republikës së Kosovës, pra, që, si president i aleatit më të rëndësishëm të shtetit tonë, është zgjedhur miku ynë i provuar për vite me radhë”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

“Megjithatë, për vendin tonë, rëndësia dhe domethënia e zgjedhjes së presidentit Biden, s’ka qenë vetëm për shkak të avokimit të tij për të drejtat tona në të kaluarën, por edhe për atë që ka premtuar dhe simbolizuar fitorja e tij për të ardhmen. Përkatësisht, fitorja e presidentit Biden i dëshmoi të gjithë botës se demokracia më e vjetër në botë vazhdonte t’u qëndronte besnike disa prej zakoneve më të rëndësishme të çdo shoqërie demokratike: sundimi i ligjit kundër politikanëve me synime diktatoriale, luftimi i krimit dhe korrupsionit në të gjitha format e tyre dhe, mbi të gjitha, respektimi i vullnetit të qytetarëve, të shprehur përmes zgjedhjeve të lira e të drejta. Me fitoren e presidentit Biden, këto vlera i janë rikthyer jo vetëm vetë ShBA-së, por edhe politikës së jashtme të saj, duke përfshirë në veçanti marrëdhëniet me Republikën e Kosovës”, thuhet në shkrimin e Kurtit.

Tutje, Kurti fitoren më 14 shkurt e ndërlidhi me atë të Biden, duke thënë se programi i Biden me atë të VV-së është i ngjashëm.

“Fitorja historike e presidentit Biden më 3 nëntor 2020, i ka paraprirë edhe fitores historike të Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 14 shkurt 2021, me një program të bazuar në parimet e drejtësisë, barazisë dhe zhvillimit, një program jo shumë larg atij mbi të cilin kandidati Joe Biden ka kërkuar dhe fituar besimin e një shumice të madhe të votuesve amerikanë. Në këtë mënyrë, dy palë zgjedhjet, ato më 3 nëntor dhe ato më 14 shkurt, dëshmuan se ajo çka i lidh më thellësisht republikat tona, nuk janë interesa të ngushta gjeopolitike, por parime dhe vlera demokratike”.

“Me rastin e përvjetorit të zgjedhjes së tij, i uroj sërish presidentit Biden suksese e punë të mbarë”, ka përfunduar Kurti.