Në Kuvend ende nuk ka arritur dorëheqja e Zaevit

Shpërndaje

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi do të mbajë seancë për verifikimin e mandateve të deputetëve të rinj që duhet të zëvendësojnë deputetët aktual që janë zgjedhur kryetarë komunash, pas marrjes së rezultateve zyrtare nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor. Vendet e kryetarëve të zgjedhur në Kuvend duhet t’i zënë kandidatët e radhës në listën e partive politike.

Kjo është dakorduar në koordinimin e rregullt të sotëm të Xhaferit me përfaqësues të partive politike.

Në zgjedhjet lokale për kryetarë komune u zgjodhën Kostadin Kostadinov nga LSDM, Darko Kostovski, Timço Mucinski, Ivan Jordanov dhe Kiril Peçakov nga VMRO-DPMNE dhe Bilall Kasami nga BESA.

Nga Kuvendi informojnë gjithashtu se kryeministri Zoran Zaev ende nuk e ka dorëzuar dorëheqjen në Kuvend. Në takimin e sotëm koordinues me Xhaferin nuk është diskutuar fare për hapat e ardhshëm që do të pasonin pas deklaratës së mbrëmshme të Zaevit se po jep dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Sipas nenit 219 të Rregullores së Kuvendit, “Qeveria, kryeministri ose një anëtar i Qeverisë mund të japë dorëheqje. Dorëheqja e Qeverisë ose e kryeministrit i paraqitet kryetarit të Kuvendit me shkrim dhe mund të shpjegohet… Dorëheqja e Qeverisë ose e kryetarit të Qeverisë, kryetari i Kuvendit ua dorëzon menjëherë deputetëve dhe presidentit të Republikës”.

Më tej sipas nenit 220 thuhet se “Kuvendi në seancën e parë të radhës, pa debat, konstaton se mandati i kryeministrit, Qeverisë apo anëtarit të Qeverisë, përfundon në ditën e mbajtjes së seancës”.