Një delegacion i UT-së vizitoi Universitetin Linneaus në Suedi

Shpërndaje

Një delegacion nga Universiteti i Tetovës, prej 14 deri më 18 nëntor 2021, qëndroi për vizitë zyrtare në Universitetin Linnaeus në Suedi. Kjo vizitë u realizua në kuadër të programit ndërkombëtar për bashkëpunim ERASMUS + KA1.

Pjesë e këtij delegacioni ishin dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Prof. Dr. Alit Ibraimi, prodekani për arsim i këtij fakulteti, Prof. Dr. Florim Idrizi, dhe përgjegjësi i zyrës për shkencë dhe inovacion, Prof. Dr. Agon Memeti.

Gjatë qëndrimit të tyre në Suedi ata realizuan vizitë fillimisht në kampusin e Universitetit në Vaxjo, ku zhvilluan takime me Prof. Dr. Arianit Kurtin, përgjegjës i departamentit të IT-së dhe ish-përgjegjësen e IT-së Prof. Dr. Anita Mirijamdotter. Gjatë këtij takimi palët prezantuan aktivitetet edukative – pedagogjike dhe hulumtuese, përfshirë edhe projektet që do të realizohen në të ardhmen. Në përmbyllje të këtij takimi delegacioni i Universitetit të Tetovës i dhuroi dy numrat e revistës shkencore të Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore të universitetit tonë dhe njëherit falënderuan profesor Arianit Kurtin për pjesëmarrjen aktive në recensimin e artikujve shkencorë të revistave.

Përveç vizitës në kampusin e Universitetit në Vaxjo ata vizituan edhe kampusin e Universitetit në Kalmar. Në kampusin në Kalmar ata u pritën në takim nga Prof. Dr. Fisnik Dalipi dhe së bashku ndoqën edhe prezantimin e Phd studentit z. Lars Magnusson me temë: EU GDPR in a world of Data Braches. Po ashtu morën pjesë edhe në prezantimin e laboratorit të “Interaction-design” si dhe te laboratorit “IoT” të këtij universiteti.