Pas 18 ditësh gjendet vajza 4-vjeçare në Australi
Vajza katër vjeçare Cleo Smith u gjet 18 ditë pasi u zhduk nga një çadër në një kamp në Australinë Perëndimore, njoftoi policia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Cleo Smith u zhduk pranë qytetit Carnarvon më 16 tetor, për të cilën u organizua një kërkim masiv.
Një ekip i policisë hyri në një shtëpi të mbyllur në Carnarvon pas mesnatës të së mërkurës dhe gjeti vajzën katërvjeçare në një nga dhomat e saj.
“Ata gjetën Cleo-n e vogël në një nga dhomat. Një nga oficerët e mori në krahë dhe e pyeti: ‘Si e ke emrin?. Ajo tha ‘Emri im është Cleo'”, tha zëvendës shefi i policisë, Col Blanch, njoftoi BBC.
Vajza iu kthye prindërve të saj, të cilët me mallëngjim luteshin për kthimin e saj.
“Familja jonë është e kompletuar përsëri”, ka shkruar nëna e saj Ellie Smith në Instagram.
Një burrë nga Carnarvon u arrestua dhe u dërgua për t’u marrë në pyetje.
“Ky është rezultati për të cilin të gjithë shpresonim dhe u lutëm”, tha zëvendës shefi.
Policia mori në pyetje më shumë se 110 persona që ishin në Camp Blowholes natën që Cleo u zhduk më 16 tetor.
Vajza u pa për herë të fundit rreth orës 1:30 të mëngjesit në çadrën e familjes së saj, në një kamp të madh në bregun veriperëndimor të Australisë Perëndimore. Nëna dhe njerku i saj e kuptuan pesë orë më vonë se ajo ishte zhdukur.
Autoritetet ofruan një shpërblim prej 1 milion dollarësh australianë (750 mijë dollarë) për informacion mbi vendndodhjen e Cleos.